Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA – Dy ditë pasi Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përjashtoi dhe ç’rregjistroi nga radhët e tij një nga themeluesit e saj, Kryetarin e parë të Parlamentit pluralist, deputetin Kastriot Islami, opozita kërkoi sot në Kuvend edhe heqjen e Islamit nga anëtar i PS-së në delegacionin e përhershëm të Shqipërisë në KiE, një kërkesë e rrëzuar me shumicë votash nga mazhoranca, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kërkesa për heqjen e deputetit Kastriot Islami u bë nga kreu i grupit kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi, në fund të seancës së fundit plenare të Parlamentit, për këtë sesion parlamentar.
Ruçi kërkoi riformatimin e delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, duke theksuar se opozita ka më pak anëtarë, por kërkesa e tij u cilësua tejet e gabuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila e çmoi Islamin si të vetmin socialist, që në këto vite ka kryesuar këtë delegacion shqiptar në KiE.
Ndërkohë gjatë debatit të shkurtër, konstitucionalisti dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, demokrati Ilir Rusmali i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga një hap i tillë i pamenduar, duke i bërë apel të mjaftohet vetëm me përjashtimin e Kastriot Islamit nga radhët e PS-së.
“Duhet të shkoni në Strasburg që të kërkoni heqjen e Kastriot Islamit. Mos e çilni atë derë, respektoni punën e tij, se në Asamblenë e KiE-s, Islami është një nga njerëzit që çmohen më shumë”, tha deputeti demokrat.
Në fund të diskutimit, mazhoranca miratoi përbërjen e delegacionit parlamentar në Këshillin e Evropës me të njëjtën përbërje si i mëparshmi, katër anëtarë nga mazhoranca dhe katër përfaqësues nga opozita, me 72 vota pro dhe 62 kundër.
Kastriot Islami u përjashtua nga radhët e Partisë Socialiste të martën në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit kuvendor socialist në mungesë të vetë deputetit, i cili kishte kërkuar një mbledhje me dyer të hapura.
Grupi parlamentar i PS-së votoi me shumicë votash për ç’regjistrimin e Islamit nga PS, ndërkohë që deputetët Arben Malaj, Tom Doshi, Marko Bello dhe Hazir Gashi, votuan kundër përjashtimit të tij.
Dy deputetët Et’hem Ruka dhe Pandeli Majko abstenuan, ndërsa Ben Blushi dhe Andis Harasani nuk morën pjesë në mbledhje.
Sipas PS-së deputeti Islami u përjashtua se shkeli me vetëdije statutin e partisë, duke munguar gjatë votimit në parlament, të Bujar Leskaj si Kryetar i KLSH-së, një votim për të cilin kreu i PS-së Edi Rama kishte garantuar të gjithë kartonët e kuq të opozitës.
Islami, po atë ditë në një konferencë për shtyp nga Kuvendi e cilësoi përjashtimin e tij nga PS si të menduar shumë më herët nga Edi Rama.
Kjo për shkak se përballja e Edi Ramës me Kastriot Islamin përbën përballjen e programit politik të kryetarit Rama për forcimin e autoritetit e diktatit të tij me programin për të majtën e bashkuar, që ka përqafuar prej vitesh Kastriot Islami.
Përjashtimin e Kastriot Islamit e komentoi sot edhe lideri historik i të majtës, ish-kryeministri Fatos Nano, i cili e cilësoi ç’rregjistrimin e Islamit një gabim fatal të Partisë Socialiste, i cili duhet korrigjuar menjëherë.
mit/NOA