Tiranë, 22 Dhjetor 2011 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, e sheh si lajm të keq, rrëzimin sot në Kuvend të projektligjit të paraqitur nga kjo parti për të ulur TVSH-në (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në disa produkte kryesisht ushqime dhe medikamente.
“Ky rrëzim i paralajmëruar i planit tonë të arsyeshëm në fakt rinënvizon dallimin e qartë mes rrugës së programit tonë dhe qeverisjes pa rrugëdalje për njerëzit e zakonshëm”, - thotë z.Rama.
Kurse thekson se ndërsa “ne duam më shumë drejtësi duke e ndarë më drejt barrën e taksave, ata duan të vazhdojnë të sundojnë përmes padrejtësisë duke taksuar njësoj si veten si shqiptarët e papunë”.
Kreu socialist premton se “socialistët e progresistët e angazhuar në programin tonë të ri për rimëkëmbjen e ekonomisë, duam e do të bëjmë realitet një politikë të re fiskale”.
Ndiqni më poshtë opinionin e plotë të z.Rama mbi rrëzimin në Kuvend të draftit të PS:
Në parlament u rrëzua plani ynë për heqjen e taksës së ushqimeve bazë e të ilaçeve. Një lajm i keq në fundviti për të gjitha familjet e zakonshme të këtij vendi. Të cilat do të vazhdojnë të fitojnë ende më pak dhe të paguajnë edhe më shumë. Do të vazhdojnë të përballen me rritje çmimesh për produktet jetike dhe për ilaçet. Do të vazhdojnë t'i paguajnë qeverisë 20 përqind taksë për çdo bukë, gotë qumësht, kokërr vezë apo aspirinë. Do të vazhdojnë të paguajnë 20 përqind taksë për drita e korent, pavarësisht sa i paguan qeveria ata ose edhe nëse nuk i paguan askush ngase janë të papunë. Ky rrëzim i paralajmëruar i planit tonë të arsyeshëm në fakt rinënvizon dallimin e qartë mes rrugës së programit tonë dhe qeverisjes pa rrugëdalje për njerëzit e zakonshëm. Ne duam më shumë drejtësi duke e ndarë më drejt barrën e taksave. Ata duan të vazhdojnë të sundojnë përmes padrejtësisë duke taksuar njësoj si veten si shqiptarët e papunë. Si infermieret si Doktorin kryeministër. Si mësuesit e policët si pasanikët e këtij vendi. Për ta s'ekzistojnë shqiptarët që mezi mbushin barkun me bukë ngaqë ushqimi kushton shumë dhe taksohet rëndë. S'ekzistojnë fëmijët që s'pijnë dot qumësht ngaqë qumështi kushton shtrenjtë dhe taksohet njësoj si për prindërit e varfër si për ata që mund edhe të lahen me qumësht. S'ekzistojnë të moshuarit që s'blejnë dot ilaçet jetike ngaqë ilaçet taksohen njësoj si për pensionistët e panumërt të cilët pas ditës së shtatëmbëdhjetë të muajit do vdisnin urie pa ndihmën e të afërmve, si për një pakicë të sëmurësh që s'e kanë problem çmimin e ilaçeve të nevojshme. Për ta s'ekziston as vetë kriza drastike që po e vyshk Shqipërinë ekonomikisht e shoqërisht në rrugën e varfërisë, papunësisë, padrejtësisë së kthyer në sistem. Jam i bindur se për ta s'ekziston as kjo tabelë që buron prej censusit të fundit, e cila tregon se nga një llogari e thjeshtë mes familjeve banuese në Shqipëri dhe atyre që jetojnë me ndihmë ekonomike, rezulton një rritje drastike e numrit të familjeve shqiptare që mbajnë frymën gjallë me lëmoshën e shtetit. Janë shifra që në Kukës, Dibër, Shkodër apo Lezhë, aty ku njerëzia bombardohet me propagandën banale antiopozitare të Saliut, tregojnë një realitet tmerrues të krahasueshëm vetëm me vende të botës së tretë për nga fuqia ekonomike e familjeve të zakonshme. Shihni tabelën:
Familje me ndihme ekonomike | Familje | Raporti | |
Kukes | 12244 | 17079 | 71.7% |
Diber | 14867 | 29624 | 50.2% |
Shkoder | 15723 | 55145 | 28.5% |
Lezhe | 7663 | 32794 | 23.4% |
Elbasan | 13998 | 74083 | 18.9% |
Korce | 10719 | 60558 | 17.7% |
Berat | 5187 | 38427 | 13.5% |
Gjirokaster | 2574 | 22124 | 11.6% |
Tirane | 11428 | 204279 | 5.6% |
Fier | 4279 | 83547 | 5.1% |
Vlore | 1919 | 54612 | 3.5% |
Durres | 1442 | 67984 | 2.1% |
TOTALI | 102043 | 740256 | 14 % |