English

ERRU rrëzon kërkesën e Dollapit për të shtrenjtuar ujin 66%

Tiranë, 22 Dhjetor 2011 NOA/Irma Toptani - Komisioni Kombëtar Rregullator (njohur si ERRU) rrëzoi sot kërkesën e Ujësjellës Kanalizime të Tiranës për të shtrenjtuar ujin e pijshëm në masën 66 për qind. Gjithashtu ERRU rrëzoi edhe kërkesën për të dyfishuar tarifën mujore të shërbimit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Institucioni përmes një komunikate zyrtare tha sot se “në zbatim të nenit 14 dhe 21, të Ligjit Nr. 8102 datë 28.03.1996 "Për Kuadrin Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura", i ndryshuar, si dhe Metodikës "Mbi vendosjen e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura” vendosi të miratojë tarifat e ujit për konsum publik për Sh.a.U.K Tiranë duke e çuar nga 33 në 45 lekë për metër kub çmimin për familjarët nga 55 lekë që kërkoi UKT e drejtuar aktualisht nga ish drejtori i KESH, Sait Dollapi.

Po ashtu ERRU hodhi poshtë kërkesën që tarifa mujore e shërbimit nga 100 të bëhej 200 lekë, duke e lënë të pandryshuar.

Komisioni Kombëtar Rregullator rrëzoi edhe kërkesën për të rritur nga 110 në 150 lekë për metër kub, ujin për entet buxhetore dhe e la në 120 lekë.

Ky Komision po ashtu rrëzoi edhe shtrenjtimin e ujit për entet private. UKT kërkoi që çmimi nga 120 të bëhej 150 lekë, Komisioni Kombëtar Rregullator e vendosi 135 lekë për metër kub.

Në vendimin e shpallur sot, Komisioni Kombëtar Rregullator rrëzoi dhe shtrenjtimin dyfish nga 10 në 20 lekë për metër kub, të shitjes së ujit me shumicë dhe e vendosi 12 lekë.

Ky vendim që e gjeni të plotë këtu, hyn në fuqi më 01.01.2012. Komisioni Kombëtar Rregullator tha se vendimi ka marrë në konsideratë nga njëra anë shqyrtimin e situatës tekniko-ekonomike të shoqërisë U.K Tiranë, duke u bazuar në analizën e treguesve kryesorë të performancës dhe të kostove, faktorëve që ndikojnë në ndryshimin e tyre, kushtet specifike të operimit si dhe objektivat që operatori parashikon të arrijë, duke synuar kështu rritjen e qëndrueshmërisë së tij financiare për të siguruar një shërbim sa më efektiv dhe në anën tjetër duke vlerësuar si prioritare çështjen e mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.

mit/NOA

KOMENTE