Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA – Në vigjilje të festave të fundvitit sot ishte edhe seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të nisë punën në muajin janar.
Në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit u betua, Kryetari i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i miratuar në këtë post të enjten e shkuar me 70 vota pro të mazhorancës dhe 61 kundër të opozitës, dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, i votuar me 127 vota pro, dy kundër dhe tre abstenime, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Bujar Leskaj u propozua për këtë post nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, në 17 nëntor dhe u miratua me votat e mazhorancës në seancën e shkuar parlamentare.
Opozita ashtu siç kishte paralajmëruar kreu i PS-së Edi Rama votoi kundër kandidaturës së Leskaj për kreun e KLSH-së.
Madje mungesa në votim seancën e shkuar e deputetit të PS-së Kastriot Islami bëri që kryesocialisti Edi Rama të përjashtojë nga grupi kuvendor socialist edhe deputetin Islami, dy ditë më parë, në një mbledhje me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, votimi me konsensus i Avokatit të Popullit ishte një tjetër votim i rëndësishëm për këtë seancë dhe për këtë sesion kuvendor, për shkak se u plotësua pas më se një viti vendi i lënë vakant i Ombudsmanit.
Këtë post tashmë do ta mbajë juristi Igli Totozani, i propozuar nga PS dhe i përzgjedhur nga dëgjesat publike të PS-së, i miratuar mandej me shumicë votash në Kuvend.
Në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar u hodh poshtë edhe propozimi i opozitës për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, si buka, mielli, veza, qumështi apo edhe uljen e TVSH-së për disa produkte të tjera ushqimore dhe energjisë elektrike.
Edhe pse gjatë seancës pati debat mes opozitës dhe mazhorancës, Kuvendi miratoi projektligjin për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale, me 71 vota pro dhe 63 kundër të opozitës.
Ky sesion parlamentar i mbyllur sot, sesioni i pestë parlamentar i legjislaturës së XVIII, shënoi në javët e fundit nisjen e disa prej reformave të kërkuara parlamentare, të cilave ua ndezi dritën jeshile kompromisi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës.
Kështu pjesë e konsensusit pozitë-opozitë u bënë ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, për reformën parlamentare, miratimi i disa ligjeve me 3/5, siç ishin Kodet e Republikës së Shqipërisë, njëri syresh ai Penal pritet të shqyrtohet në muajin janar të vitit të ardhshëm, kur do të nisë edhe sesioni i ri i Kuvendit, pas festave të fundvitit dhe pushimeve dimërore.
Pas seancës Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ftoi deputetët në një koktej festiv në mjediset e Kuvendit.
mit/NOA