English

Haga refuzon lirimin e Ramush Haradinaj për festat e fundvitit

Hagë, 22 dhjetor 2011, NOA – Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë rrëzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për lirimin për festat e fundvitit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Tribunali i Hagës nuk e pranoi kërkesën për lirimin e përkohshëm të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e argumentuar refuzimin, me faktin se lirimi i Haradinaj mund të cënojë procesin e rigjykimit të pjesshëm të tij.

Avokatët mbrojtës të Ramush Haradinaj kishin kërkuar në fillim të dhjetorit një pushim të përkohshëm të tij në datat 16 dhjetor- 8 janar.

Edhe pse avokatët e liderit të AAK-së e siguruan Gjykatën e Hagës se gjatë lirimit të përkohshëm Ramush Haradinaj do të qëndrojë vetëm në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike, e nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitetet politik, trupi gjykues i Hagës nuk e dha pëlqimin për këtë kërkesë, bën me dije portali Kosovaonline.

Tribunali i Hagës në nëntor të këtij viti ka bërë të ditur se procesi gjyqësor kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të vazhdojë më 13 shkurt të vitit të ardhshëm. Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë ka nisur më 18 gusht.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm për 37 akuzat për krime lufte, në 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues i Hagës.

Por, ndaj tij dhe dy bashkëluftëtarëve Brahimaj dhe Balaj u ngrit padia për gjykim tjetër të pjesshëm.

Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, për krime ndaj serbëve gjatë luftës në Kosovë.

mit/NOA

KOMENTE