"Në të vërtetë, nga Europa në Lindjen e Mesme, dhe ndoshta së shpejti edhe në Rusi dhe në Azi, mjaft akuariume po shndërrohen të gjitha njëkohësisht në supa peshku."...
Nga Thoms Frideman
Historiani Walter Russell Mead ka vënë re se pas revolucionit të viteve ‘90, i cili rrëzoi Bashkimin Sovjetik, rusët kishin një thënie që është aktuale edhe sot: “Është më e lehtë të kthesh një akuarium në një supë peshku, se sa një supë peshku në një akuarium.”
Në të vërtetë, nga Europa në Lindjen e Mesme, dhe ndoshta së shpejti edhe në Rusi dhe në Azi, mjaft akuariume po shndërrohen të gjitha njëkohësisht në supa peshku.
Por kthimi i tyre në shoqëri dhe komunitete të qëndrueshme do të jetë një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Ne jemi përsëri përpara një shthurjeje të madhe, si pas Luftës I Botërore, Luftës II Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Por kësaj radhe nuk ka pasur luftë. Të gjitha këto shtete janë rrëzuar nga përbrenda, pa paralajmërim.
Pse?
Unë besoj se shkaku kryesor është bashkimi i globalizimit me revolucionin e teknologjisë së informacionit. Të dyja këto pjesë arritën një masë kritike në dekadën e parë të shekullit XXI, e cila ka rezultuar në demokratizimin e njëkohshëm të kaq shumë gjërave sa as shtetet e dobëta, as kompanitë e dobëta mund ta përballojnë.
Ne kemi parë: 1. Demokratizimin e informacionit, ku tashmë çdokush është botues; 2. Demokratizimin e luftimit të luftës, ku individët fuqizohen në mënyrë të skajshme (mjaftueshëm sa, si në rastin e Al Kaedës, të shqetësojnë një superfuqi). 3. Demokratizimin e inovacionit, në të cilin fillestarë që përdorin softuerë falas për përdorim masiv mund të sfidojnë kompani globale.
Dhe, së fundmi, ne kemi parë atë që Mark Mykleby, një kolonel i tërhequr marine dhe ish-këshilltar i kryetarit të Shtabit, e quan “demokratizimi i pritjeve”: pritet që të gjithë individët të mund të vendosin vetë për karrierën e tyre, shtetësinë dhe të ardhmen dhe jo të detyrohen.
Më bëri përshtypje ngjashmëria ndërmjet vërejtjes së rusëve rreth Kryeministrit Vladimir Putin, i cili parimisht u vetëzgjodh President, me ato që dëgjova nga egjiptianët rreth Hosni Mubarak, i cili vazhdonte të vetëzgjidhej President.
Shkrimtari egjiptian Alaa al-Aswany më tha se egjiptianët e refuzonin idenë që Mubarak mund t’i kalonte pushtetin djalit të tij Gamal, sikur egjiptianët të ishin “zogj pule”, që mund të kaloheshin nga një lider tek i biri.
Të dielën e shkuar, një artikull i “New York Times” nga Moska citonte aktivistin popullor Aleksei Navalny, tashmë në burg, tek thoshte: “Ne nuk jemi bagëti apo skllevër. Ne kemi zëra dhe vota dhe fuqinë për të mbrojtur ato.”
“Ditët e drejtimit të vendeve ose kompanive nëpërmjet diskutimeve njëpalëshe kanë mbaruar”, thotë Dov Seidman, drejtuesi i LRN dhe autori i librit “How”. “Sistemi i vjetër i ‘komandimit dhe kontrollit’, që përdorte shkopinj për të ushtruar pushtetin mbi njerëzit, po zëvendësohet me shpejtësi nga ‘lidhja dhe bashkëpunimi’, lindja e pushtetit nëpërmjet njerëzve.”
“Liderët dhe menaxherët nuk mund të imponojnë vullnetin e tyre”, shton Seidman.
“Tani duhet të kesh një marrëdhënie dykahëshe, që krijon lidhje me qytetarët e tu, me blerësit e tu, ose me nëpunësit e tu.”
Banka e Amerikës kishte një marrëdhënie njëkahëshe rreth taksimit me 5 dollarë mbi kartat debitore dhe klientët e saj e detyruan bankën globale të tërhiqej dhe të kërkonte falje.
Putin mendonte se kishte fuqi të plotë mbi njerëzit e tij dhe se mund t’u impononte çfarëdo që ai të donte dhe tani është i detyruar për të diskutuar për justifikimin e qëndrimit të tij në pushtet.
“Coca cola” vendosi ta ripaketonte pijen joalkoolike në kanoçe të bardha në sezonin veror. Por një thirrje e egër për “blasfemi” nga konsumatorët e detyroi kompaninë të kthehej te kanoçet e kuqe brenda një jave.
Ky ndryshim i ka surprizuar këta faktorë, të cilët po e gjejnë të vështirë të pozicionohen në marrëdhëniet e reja me blerësit dhe punonjësit.
“Teksa pushteti zhvendoset tek individët”, thotë Seidman, “vetë lidershipi duhet të zhvendoset drejt tyre: nga lidership që përdor shkopinjtë për t’i detyruar njerëzit të performojnë, te lidershipi frymëzues që transmeton përkushtim, inovacion dhe shpresë te njerëzit.”
Roli i një lideri është të marrë çka është e vlefshme nga e shkuara dhe ta shkrijë me një vizion pararojë. Po dëgjon Zoti Putin?
“Ky lloj lidershipi është mjaft kritik sot”, shton Seidman, “kur njerëzit po krijojnë ‘liri nga’ gjërat; liri nga shtypja ose çfarëdo sistemi që ndjek këtë vijë, por që ende nuk ka arritur përshkallëzimin e vlerave dhe ndërtimin e një kornize institucionale që mundëson lirinë e ndërtimit të një karriere, një biznesi, ose të një jete kuptimplotë”.
Kjo mund të shihet gjallërisht në Egjipt, ku lëvizja demokratike ishte mjaft e fortë sa të rrëzonte Mubarak, por tani përballet me procesin e gjatë dhe të vështirë të ndërtimit të institucioneve të reja dhe të shkrimit të një kontrate të re sociale nga një koalicion demokratik që pajton Vëllezërit Myslimanë, Liberalët Kristianë, Liberalët Myslimanë, ushtrinë dhe ultrakonservatorin Muslim Salafis.
Kthimi i gjithë atyre “peshqve” dhe notimi i tyre përsëri bashkë në një akuarium nuk do të jetë një detyrë e vogël, përkundrazi, do të jetë një nga ato nevoja që kërkon një lider të guximshëm dhe të veçantë.
Kërkohet ndihmë.
"Shqip"