Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA - Shoqata Kombëtare e Fëmijëve Jetimë dhe një universitet privat i Tiranës organizuan një aktivitet me rastin e festave të fundvitit me fëmijët jetimë, të cilëve iu dhuruan dhurata të ndryshme dhe iu shpërndanë çmime.
Tre fëmijë jetimë fituan çmimet e para në konkursin e vizatimit i organizuar për këtë rast, ku morën pjesë 60 fëmijë.
Kryetarja e Shoqatës Lumturie Ruçi u shpreh se fëmijët jetimë kanë nevojë për mbështetjen e gjithë shoqërisë shqiptare si shtresa më në nevojë e saj.
“Të gjithë duhet të kontribuojmë për t`i ndihmuar këta fëmijë, të cilët sidomos në fundvit nuk kanë mbështetjen e duhur nga shoqëria. Ky aktivitet i organizuar me Universitetin Metropolitan Tirana është një ndër aktivitetet me rastin e festave të fundvitit, që u vjen në ndihmë fëmijëve në nevojë”, tha zonja Ruçi.
Aktiviteti ishte ideuar nga studentët e universitetit, të cilët kontribuan edhe për dhuratat, madje ata mbështetën edhe fëmijët në konkursin e pikturave.
Sipas tyre në ditët e fundvitit fëmijëve jetimë duhet t’u vijnë në krah të gjithë, pasi ata nuk kanë prindër dhe kanë nevojë për përkrahje të pakufishme.
mit/NOA