English

Lëvizjet e reja kombëtare

Krahas politikës partiake, fillojnë të shfaqen lëvizje të reja në shoqërinë civile, të frymëzuara nga çështja kombëtare. Këto janë nisma të qytetarëve në shtetet përkatëse, të palidhura formalisht me partitë politike dhe që kërkojnë angazhimin e drejtpërdrejtë publik të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin kombëtar"...

Nga Enis Sulstarova

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit përpjekja kombëtare shqiptare ka marrë forma të reja politike, që pasqyrojnë ndryshimet politiko-ligjore, shoqërore e kulturore që kanë ndodhur në hapësirën etnike shqiptare. Pas vitit 2001 kemi përfundimet e konflikteve të armatosura në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe IRJM, të cilat sollën rregullime të reja kushtetuese që ripozicionuan faktorin shqiptar përballë kundërshtarëve të tij. Me përjashtim të Luginës së Preshevës, ku Serbia nuk iu përmbajt marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, në Kosovë dhe IRJM kemi vendosjen e rendeve të reja kushtetuese që u njohin shqiptarëve të drejtat themelore si njerëz dhe si qytetarë. Ndërkohë në Shqipëri fitoret (edhe pse të pjesshme) e shqiptarëve në Kosovë e IRJM, shkaktojnë një ngritje të vetëdijes kombëtare, por që nuk gjen dot kanalizim në dy partitë kryesore. Këto i kushtojnë vëmendjen kryesore çështjes së kapjes dhe ruajtjes së pushtetit dhe ruajnë një profil të ulët për çështjen kombëtare. Për këtë arsye çamët vendosin që të krijojnë partinë e tyre, PDIU, e cila menjëherë shpall se qëllimi i saj nuk është mbrojtja vetëm e çështjes çame, por plotësimi në spektrin politik i vendit të një partie me profil të spikatur kombëtar.

Krahas politikës partiake, fillojnë të shfaqen lëvizje të reja në shoqërinë civile, të frymëzuara nga çështja kombëtare. Këto janë nisma të qytetarëve në shtetet përkatëse, të palidhura formalisht me partitë politike dhe që kërkojnë angazhimin e drejtpërdrejtë publik të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin kombëtar. Pra, e përbashkëta e parë e këtyre lëvizjeve është se kanë nisur nga poshtë, shpeshherë edhe si reagime spontane qytetare ndaj politikës partiakë. Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje! u formua për të kundërshtuar negociatat e qeverisë me Serbinë për statusin e Kosovës. Fushata e parë e lëvizjes më 2005 kishte moton “Jo negociata! Vetëvendosje!”. Lëvizja Zgjohu! u themelua në Shkup më 2006 me qëllimin për të zgjuar nga apatia dhe përçarja partiake shqiptarët e për t’i orientuar e organizuar për të ruajtur e zgjeruar liritë e tyre demokratike e kombëtare. Në Shqipëri, Tifozat Kuq e Zi nëpërmjet mbështetjes së ekipit kombëtar të futbollit fillojnë të përhapin edhe parulla politike kombëtare, të cilat partitë kryesore nuk kanë guxuar t’i shqiptojnë asnjëherë. Ata mbështeten edhe nga organizime të ngjashme të tifozëve të kombëtares në Kosovë e IRJM. Më 2011, Tifozat Kuq e Zi galvanizojnë opinionin publik për çështjen e regjistrimit të popullsisë dhe japin ndihmesën për krijimin e Aleancës Kuq e Zi dhe për mbledhjen e firmave të dhjetëra mijëra qytetarëve për ta penguar regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare. Në Malin e Zi, midis disa shoqatave ekzistuese të shqiptarëve, krijohet edhe një lëvizje origjinale, Lëvizja për Komunë e Malsisë, e cila ka për synim themelimin e Komunës së Tuzit, si një mjet efikas për të ndalur shkombëtarizimin e shqiptarëve të asaj zone. Në Luginë të Preshevës shumë aktiv ka qenë në vitet e fundit Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, i cili ka protestuar kundër diskriminimit që Serbia po u bën shqiptarëve të krahinës.

Një karakteristikë e këtyre lëvizjeve është se themeluesit dhe shumë prej pjesëmarrësve në to janë kryesisht të rinj: nga gjimnazistë e studentë deri tek ata në mesin e të tridhjetave dhe më rrallë 40-vjeçarë e sipër. Për një pjesë të veprimtarëve ky është aktivizimi i tyre i parë publik. Duket se në Shqipëri brezi i ri i shqiptarëve është çliruar nga komplekset e inferioritetit: tani të qenit shqiptar shpallet me krenari dhe nuk fshihet apo përbuzet, siç ndodhte shpesh me të rinjtë e fillimit të viteve ‘90. Megjithatë, duhet thënë se veprimi kombëtar i të rinisë në Shqipëri ka qenë më pak të organizuar dhe më shumë spontan, në trajtën e protestës për shkeljen e dinjitetit apo simboleve kombëtare nga ana e funksionarëve shtetërorë. Kujtojmë p.sh. bllokimin e rrugës kombëtare nga disa të rinj tepelenas në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së prefektit të Gjirokastër në një tubim të shovinistëve grekë në Janinë. Është pozitiv fakti se Shoqata e Tifozave Kuq e Zi dhe Aleanca Kuq e Zi deri diku po e orientojnë rininë e Shqipërisë për te problematika kombëtare dhe se edhe dega rinore e PDIU-së, Klubi i Patriotëve të Rinj, mund të shërbejnë si një bërthamë për mobilizimin e të rinjve.

Karakteristika e dytë, që e cekëm disi më sipër, është se lëvizjet e reja kombëtare nuk mjaftohen me politikën partiake, madje i kundërvihen asaj kur e akuzojnë se po i përçan shqiptarët dhe nuk është në lartësinë e duhur për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Kjo gjë mund të ilustrohet më së miri me rastin e Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila ka qenë më e suksesshmja e këtyre lëvizjeve dhe po shërben si frymëzim dhe model për brezin e ri të veprimtarëve kombëtare në mbarë trevat shqiptare. Edhe pse është e pranishme në Kuvendin e Kosovës, ajo pjesën “partiake”, d.m.th. përfshirjen në institucione, ia ka nënshtruar qëllimeve më të gjera të lëvizjes. Me këtë ajo jep mesazhin e qartë se demokracia nuk ndalet te përfaqësimi, por kërkon aktivizimin e vazhdueshëm qytetar. Ndërkohë pranë lëvizjeve të reja kombëtare janë tërhequr edhe politikanë “veteranë” që kanë qenë zëlartë për mbrojtjen e interesave kombëtare, por që, ndonjëherë pikërisht për këtë fakt, janë margjinalizuar prej partive të mëdha politike (p.sh. në Shqipëri Abdi Baleta dhe Pëllumb Xhufi kanë marrë pjesë në veprimtaritë e Aleancës Kuq e Zi kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare). Për më të rinjtë e lëvizjeve kombëtare, këto të fundit janë si shkolla politike që i përgatisin ata për një angazhim afatgjatë. Strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje! për të marrë pjesë në zgjedhje dhe në Kuvend mund të ndiqet në të ardhmen edhe nga organizatat kombëtare në IRJM dhe Shqipëri.

Karakteristika e tretë e lëvizjeve të reja kombëtare është ndjekja prej tyre e politikave identitare, sepse arsyeja e ekzistencës së tyre është dhunimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo duket në emërtimet e tyre. Për Lëvizjen Vetëvendosje!, realizimi i vetëvendosjes së popullit të Kosovës dhe i të gjithë kombit është realizim i lirisë kolektive dhe individuale të shqiptarëve. Lëvizja Zgjohu! në IRMJ mendon se identitetit kombëtar po rrezikohet dhe se trashëgimia kulturore shqiptare po zhbëhet, prandaj shqiptarët në këtë shtet duhet të zgjohen dhe të hidhen në veprim. Siç dihet, Aleanca Kuq e Zi në Tiranë u krijua për të ndaluar regjistrimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë, që gjykohet prej saj si shkombëtarizues. Lëvizje të tilla qytetare kërkojnë të rigjallërojnë identitetin kombëtar dhe ta vendosin si bosht të politikës shqiptare, madje edhe në Shqipëri prej tyre kërkohet që cilësimi “shqiptar” të mos jetë thjesht një element burokratik dhe dekorativ i shtetit. Lëvizja Vetëvendosje! nuk e njeh simbolikën aktuale shtetërore të Republikës së Kosovës dhe kërkon që ajo të zëvendësohet me simbolet kombëtare shqiptare. Një nga aksionet e saj për përkujtimin e 28 Nëntorit 2011 ishte shpalosja e një flamuri të madh shqiptar në godinën e Kuvendit të Kosovës. Për të ideja e një “kombi kosovar” është anatemë e identitetit shqiptar dhe tradhti e përpjekjes njëshekullore të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe bashkim me Shqipërinë. Lëvizja Zgjohu! në IRJM ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet për të fshirë praninë shqiptare nga kultura, simbolika dhe trashëgimia historike e shtetit të ri. P.sh. veprimtarët e saj kanë protestuar ndaj maqedonizimit të Nënë Terezës dhe kanë kryer aksione për ruajtjen e shenjave të lashtësisë ilire në Kalanë e Shkupit.

Karakteristika e katërt ka të bëjë me strukturën organizative. Lëvizjet e reja kombëtare janë formuar rreth udhëheqësve karizmatikë, që me ligjërimin e tyre kundër sistemit kthehen në epiqendra që grumbullojnë rreth vetes të tjerë individë që ndajnë të njëjtat shqetësime. Me kohë lëvizjet e suksesshme janë zmadhuar, brenda tyre janë ndarë funksionet dhe kanë spikatur edhe individë të tjerë, megjithatë ato mbeten të orientuara për nga kreu i tyre. Është e vërtetë që edhe partitë politike shqiptare dominohen nga udhëheqës karizmatikë, mirëpo ndërsa partitë e mëdha krijojnë me kohë struktura dhe përvojë organizative që i ndihmojnë t’i mbijetojnë ndërrimit të udhëheqësve (p.sh. Partia Socialiste në Shqipëri, apo Lidhja Demokratike në Kosovë), spontaniteti dhe përqendrimi i lëvizjeve qytetare një ose pak çështje publike, i bën këto më fluide dhe më pak të qëndrueshme në kohë. Prandaj për jetëgjatësinë e tyre ka shumë të bëjë fryma që udhëheqësi, i cili është shpesh edhe nismëtari i lëvizjeve, përçon te veprimtarët. Sërish Lëvizja Vetëvendosje! është shembulli më i mirë i institucionalizimit të karizmës. Ajo është e pranishme në të gjithë territorin e Kosovës dhe në organizimin e saj të brendshëm i jepet rëndësi e posaçme demokracisë, lidhjes horizontale të strukturave dhe nismave nga baza e veprimtarëve të terrenit. Për t’ia përshtatur më mirë idesë së vetëvendosjes, organizatat e terrenit nuk emërtohen “degë” dhe “seksione”, siç ndodh te partitë, por “pika” dhe “qendra” të Lëvizjes Vetëvendosje! Statuti i Lëvizjes Vetëvendosje! e ka kufizuar në dy mandate ushtrimin e detyrës së kryetarit nga i njëjti person.

Lëvizjet e reja kombëtare në hapësirën shqiptare e njohin dhe komunikojnë me njëra-tjetrën. Madje, ato e shohin veten si pjesë përpjekjes së përbashkët shqiptare për dinjitet dhe bashkim kombëtar. Megjithatë, secila lëvizje e zhvillon veprimtarinë e saj brenda kontekstit të shtetit ku është themeluar dhe nuk bëhet fjalë për një lëvizje të vetme kombëtare. Përveç bashkëpunimeve ad hoc, ka pasur pak tentativa për të institucionalizuar bashkëpunimin e vazhdueshëm të tyre. Një e tillë ka qenë Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RROSH) i themeluar më 2008 në një takim në Tiranë, ku morën pjesë rreth njëzet organizata nga trevat shqiptare, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje!, organizatën Çohu!, Lëvizjen Zgjohu!, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut nga Lugina e Preshevës, organizatën Çamëria, Lëvizjen Mjaft!, shoqatën ASAN etj. Takimet e RROSH-it në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup kanë shërbyer për informimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të organizatave shqiptare që kanë qenë të kyçura në të. Nën parullën e RROSH-it, “Jemi Një!”, janë organizuar koncerte të njëkohshme në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup më 28 Nëntor 2008, kremtimi i përvjetorëve të Lidhjes së Prizrenit dhe veprimtari të tjera. RROSH-i ka mbështetur në fillimet e saj edhe fushatën Blej Shqip!, e cila synon orientimin e konsumatorëve drejt produkteve shqiptare, e ngjashme me fushatën Duaje Tënden! që mbështet Lëvizja Vetëvendosje! në Kosovë. Lidhur me zhvillimet më të rëndësishme në shtetet ku jetojnë shqiptarët, RROSH-i ka botuar herë pas here deklarata të përbashkëta. Ekziston mundësia reale që RROSH-i në të ardhmen të riaktivizohet, ndoshta me përbërje dhe formë të re të funksionimit. Viti që vjen shënon 100-vjetorin e pavarësisë dhe këto lëvizje qytetare kombëtare dhe të tjera që mund të lindin do të jenë patjetër në kërkim të një bashkëpunimi më të madh me njëra-tjetrën, të frymëzuara nga Kuvendi i Vlorës.

Shkrirja e lëvizjeve të ndryshme kombëtare në një të vetme përveç se është e vështirë të realizohet, mund të mos jetë strategjia më e mirë. Për nga vetë copëtimi shtetëror i shqiptarëve, lëvizjet kombëtare janë të detyruara të veprojnë në kontekste të larmishme. Rrjedhimisht, çdo lëvizje ka specifikën e vet, edhe pse veten mund ta shohë si pjesë të së njëjtës përpjekje shqiptare. Gjithsesi, në kushtet e tanishme, kur veprimtaritë kombëtare të shqiptarëve po shënojnë një hov të ri, nevojitet një bashkërendim ideor, në formën e një strategjie që do të udhëzonte veprimin konkret në secilin shtet. Dihet që frymëzimi kombëtar ekziston dhe ka ekzistuar përherë që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, mirëpo programi kombëtar duhet përditësuar për shekullin e ri ku kemi hyrë dhe nevojitet një orientim strategjik për individë dhe grupe që do të kërkojnë të angazhohen në përpjekjen kombëtare. Qarkullojnë disa programe dhe platforma për çështjen kombëtare shqiptare, të hartuara nga individë dhe institucione, mirëpo më jetëgjata dhe më me vlerë do të jenë ato syresh që do të rezultojnë si të dobishme për drejtimin dhe bashkërendimin e lëvizjeve kombëtare të brezit të ri të shqiptarëve.

"Mapo"

KOMENTE