Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi shprehu ngushëllimin për ndarjen nga jeta të sopranos së njohur Nina Mula.
Në mesazhin e tij Kreu i Shtetit shprehet se Nina Mula do të mbetet e skalitur si një grua fisnike, e cila me veçoritë e jashtëzakonshme vokale, me sharmin dhe individualitetin artistik dhe me përkushtimin ndaj profesionit, bëri për vete zemrat e publikut shqiptar, si soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit, por dhe si një pedagoge e shumë brezave artistësh të skenës operistike.
Sipas tij kujtimi i ndritur i Nina Mulës do të ruhet i tillë përgjithnjë në zemrat e të afërmve, të miqve, kolegëve e gjithë shqiptarëve.
Presidenti theksoi se, skena shqiptare dhe arti operistik shqiptar humbën sopranon e talentuar dhe të shquar ndër vite për origjinalitetin dhe temperamentin artistik, por edhe një njeri tepër të dashur, të drejtpërdrejtë e të sinqertë.
Në mbyllje të mesazhit të tij Topi u shpreh se, kujtimi i ndritur i Nina Mulës do të ruhet i tillë përgjithnjë në zemrat e të afërmve, të miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, si dhe të mbarë publikut artdashës, të cilit ajo, gjatë gjithë jetës së saj, i dhuroi shpirtin.
a.y/NOA