Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, dita e nesërme do të sjellë përmirësim të kushteve meteorologjike pasi në pjesën më të madhe të territorit shqiptar do të dominojnë kthjellimet, duke lënë ekstremin verior dhe verilindor me vranësira dhe reshje të izoluara dëbore. Meqenëse i gjithë vendi është nën ndikimin e qarkullimit të masave ajrore të ftohta me origjine verilindore- lindore temperaturat do të jenë sërish të ulëta.
Pjesa e dytë e ditës do të sjellë largim të vranësirave nga ekstremi verior dhe verilindor dhe për pasojë dominim të motit të kthjellët dhe të ftohtë në të gjithë territorin shqiptar. Në të njëjtat kushte do të mbetemi në mbrëmje por edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale duke bërë që termometri të zbresë deri në -8 gradë Celcius.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi verior dhe verilindor ndërsa dallgëzimi do të arrijë deri në 3 ballë.
Europa
Sërish nesër, Europa Veriperëndimore dhe Qendrore do të dominohen nga mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu. Në Ishujt Britanik do të bien shira të konsiderueshëm të shoqëruar me stuhi të forta ere. Gjatë pjesës së dytë të ditës vranësirat do të pësojnë fuqizim duke bërë që intensiteti i shirave të rritet në Gjermani dhe Francë. Vranësirat dhe reshjet e shiut do të mbeten prezent në Europën Verilindore dhe atë Juglindore. Konkretisht në Rusi do të ketë dëborë të pakët ndërsa Greqia dhe Turqia do të kenë shira të konsiderueshëm. Për sa i përket rajonit të Mesdheut dhe Europës Jugore do të dominohen nga kthjellimet si dhe vranësirat e lehta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanik do të kenë shira të dendur dhe stuhi të forta ere
- Greqia dhe Turqia do të rrezikohen për shira të konsiderueshëm
- Gjermani dhe Franca do të bien shira të konsiderueshëm
a.y/NOA