Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Kryesocialisti Edi Rama e ka cilësuar ish-Presidentin e Çekisë Vaclav Havel si inspirues të protestave të viteve ’90-të kundër regjimit.
Deklarata e Ramës u lëshua gjatë homazheve të bëra në Ambasadën Çeke në Tiranë.
“Tekstet e Vaclav Havel i lexonim fshehurazi, ai na udhëhoqi në distancë me idetë e tij. Është një nder për mua të flas për Vaclav Havel, pasi ai është figurë frymëzuese për të gjithë”, u shpreh Rama, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ish-presidenti çek, Vaclav Havel, vite më parë, qe operuar nga tumori në mushkëri, ai pati probleme me shëndetin edhe në fillim të këtij viti.
Disidenti çek, për opinionin shqiptar njihet si mbështetës i madh i pavarësisë dhe si një nga figurat me renome botërore që bëri thirrje të ndalej dhuna e regjimit serb në Kosovë në fund të viteve të ’90-ta.
Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”, që është akorduar nga ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ai lindi në vitin 1936 dhe përveç si politikan njihet dhe si shkrimtar. Vaclav Havel u burgos nga komunistët për aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe i denoncuar në media si armik i shtetit.
a.y/NOA