English

Reshjet e borës, bllokohen disa akse rrugore në vend

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA - Si pasojë e motit të keq me reshje bore dhe shiu disa akse rrugore në vend janë bllokuar. Bllokimet kanë ndodhur në jug dhe në veri të vendit.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme është vështirësuar qarkullimi në aksin rrugor nacional Gjirokastër – Muzinë. Në qafën e Muzinës lëvizja ka vijuar vetëm me zinxhirë, raporton NOA.al. Po ashtu, gjatë natës aksi rrugor nacional Subash –Muzinë, është vështirësuar nga reshjet e dëborës.

Nga forcat e Policisë Rrugore janë marrë masat për të shmangur çdo aksident të mundshme. Mësohet se policia rrugore ka bllokuar çdo mjet që lëvizte pa zinxhirë për të mos u ngjitur apo zbritur nga Muzina.

Policia bënë të ditur se janë ngritur disa pika kontrolli të Patrullave të Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe të Policisë Rrugore me qëllim orientimin e drejtueseve të automjeteve.

Reshjet e borës në qytetin e Korçës kanë arritur deri në 25 cm. Disa komuna si Dardha dhe Vithkuqi janë të bllokuara. Po ashtu, reshjet e botës kanë bllokuar edhe aksin Korçë-Pogradec në Grabovicë. Kalimi i mjeteve është vështirësuar në Qafë-Thanë, Qafë-Plloç, Qafë e Qarrit, dhe kalimi bëhet vetëm me zinxhirë.

Edhe në rrethin e Tepelenës nga dëbora janë komunat Lopës, Kurvelesh dhe Buzë. Reshje bore vazhdojnë të bien në Llogara, Korçë, Pogradec, Kolonjë e Devoll.

Ndërsa në veri janë bllokuar nga bora rruga Shkodër-Vermosh dhe Shkodër-Dukagjin. E pakalueshme është edhe rruga Peshkopi-Librazhd. Temperaturat kanë sjellë probleme në Bulqizë, ku ka vështirësi kalimi nga Maqellara deri në afërsi të Klosit dhe në Fushë Bulqizë. Probleme nga ngrica e bora në komunat lurë, Kalaja e Dodës, Ostren dhe Trebishte.

a.k/NOA

KOMENTE