English

Thaçi: Në janar, vendoset fundi i pavarësisë së mbikqyrur

Prishtinë, 22 dhjetor 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës, se viti 2012 do të shënojë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Thaçi bëri me dije se vendimi për këtë çështje pritet të merret në muajin janar.

Ai tha se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

I pyetur për zhvillimet në veri të Kosovës, dhe për modelin e dhënë nga presidenti serb Boris Tadiç për zgjidhjen e konfliktit në veri të Kosovës, kryeministri Thaçi deklaroi se Kosova është vend i pavarur e sovran me integritetin e saj territorial të njohur dhe të garantuar ndërkombëtarisht.

Sipas Thaçit, ndryshimi i kufijve sikurse dëshiron Serbia është i pamundur që të ndodhë. “Në asnjë rrethanë nuk do të ketë model të tillë çfarë pretendohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty këtu, modeli gjermano-gjerman, apo modeli Katalonisë, Tirolit apo Irlandës. Kosova është rast specifik definitivisht, është vend sovran i njohur prej shumicës së vendeve të botës, vendeve më të fuqishme”, tha kryeministri i Kosovës, duke preçizuar se 25 korriku e ka shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e Beogradit dhe projektin e Beogradit për ndryshimin e kufijve të Kosovës për ndarjen e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi theksoi gjatë intervistës se Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë.

Sipas tij viti 2011 ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha sferat e jetës institucionale por edhe qytetare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Kosova e filloi vitin me një proces zgjedhor të stërzgjatur dhe me një situatë të vështirë të krijuar pas raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty. Viti po përmbyllet me veriun e trazuar e të bllokuar. Gjykuar nga zhvillimet ishte një vit i gjatë. A ishte i tillë edhe për ju?

Hashim Thaçi: Realisht, Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë. Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha sferat e jetës institucionale por edhe qytetare. Duke filluar nga vështirësitë dhe procesi i tej zgjatur elektoral, që u reflektua në vonesën për ndërtimin e institucioneve, ne veçanti për zgjedhjen e presidentit. Por, në të njëjtën kohë, Kosova dëshmoi se ka rend demokratik, se ka kulturë politike, se po e dëshmon veten në kuptimin e demokracisë, se ka krijuar traditën edhe elektorale, edhe të ndërtimit të institucioneve edhe të konsensusit politik për interesa shtetërore mbi ato partiake. Për të vazhduar pastaj me përkushtimet tjera në të gjitha sferat e punëve për të cilat edhe e kishim kërkuar besimin e qytetarëve. Natyrisht, Kosova për fat të keq, u ballafaqua edhe me sulme jo te lehta nga ata që pretendonin të ndryshojnë dhe ndërrojnë historinë e Kosovës, për të vënë balancën në mes Kosovës dhe Serbisë, balancë në kuptimin moral. Por, ato përpjekje të motivuara politike do të dështojnë plotësisht duke u besuar ne institucioneve të drejtësisë dhe vetëm të së vërtetës. Kështu që, sot Kosova është vend i konsoliduar, po fuqizohet çdo ditë, Kemi fituar njohje nga 85 shtete, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe FMN, përmbyllja e këtij vitit solli edhe agjendën konkrete, evropiane, unike për Republikën e Kosovës, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në dhe anëtarësimin e shpejtë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Pra, vitit 2011 ishte viti i konsolidimit të shtetit, ishte viti i Kosovës evropiane.

Zëri i Amerikës: Zhvillimet në veriun e Kosovës u pasqyruan edhe në aspiratat e Beogradit kundrejt proceseve integruese në Bashkimin Evropian. A ka shenja se Beogradi do të ndryshojë qasjen ndaj veriut?

Hashim Thaçi: Më 25 korrik, kur ne dërguam njësitet speciale për të marrë nën kontroll pikën 1 dhe 31 me vendimin tonë të drejtë kushtetues dhe ligjor, kemi thyer tabunë e mos hapjes së temës së veriut për 12 vite të tëra, kemi ndalur kontrabandën dhe krimin e organizuar. Tani, pika 1 dhe 31 është e menaxhuar prej doganierëve dhe policëve kosovar por edhe atyre të EULEX-it dhe me krijimin e ambientit të sigurisë dhe mbrojtjes nga NATO-ja. Ballafaqohemi ende me vështirësi të strukturave ilegale dhe kriminale, me mungesë të lëvizjes së lirë. Është i vetmi vend që ende nuk ka organizim të zgjedhjeve të lira, pra e vetmja pjesë e Kosovës por edhe në gjithë Evropën. Pas 25 korrikut, e gjithë bota demokratike është e fokusuar në zgjidhjen e problemit të asaj situate të krijuar për 12 vite të tëra të jo ligjshmërisë dhe tani të gjithë janë të fokusuar për rend dhe ligj, për demokraci, për zgjedhje të lira, për lëvizje të lirë, pra që të shtrihet autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kosovës në përputhshmëri me dokumentin e presidentit (Martti) Ahtisaari në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjendja e mëparshme nuk do të rikthehet. Do të ketë lëvizje përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm në përkushtimet tona koordinuese edhe me autoritete e EULEX-it edhe të NATO-s, të SHBA-së dhe BE-së.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, presidenti serb Boris Tadiç tha se një model si ai i Irlandës, apo Tirolit jugor e madje edhe i dy Gjermanive të pasluftës së dytë botërore mund të ishte shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa janë të mundshme këto modele?

Hashim Thaçi: Kosova është vend i pavarur e sovran me integritetin e saj territorial të njohur dhe të garantuar ndërkombëtarisht. Ndryshimi i kufijve është i pamundur që të ndodhë. Ne punojmë si Kosovë për një rajon me kufi të hapur, të evropianizuar. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë model të tillë çfarë pretendohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty këtu, modeli gjermano-gjerman, apo modeli Katalonisë, Tirolit apo Irlandës. Kosova është rast specifik definitivisht, është vend sovran i njohur prej shumicës së vendeve të botës, vendeve më të fuqishme. 25 korriku e ka shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e Beogradit dhe projektin e Beogradit për ndryshimin e kufijve të Kosovës për ndarjen e Kosovës. Ne do të jemi afër qytetarëve në veri, ata janë qytetarët tanë, Kosova është shtëpia jonë. Do ta ndërtojmë bashkërisht, por gjithmonë duke respektuar në kuptimin më afirmativ të drejtat e komuniteteve. Ata që mbjellin frikë, që kërcënojnë qytetarët do të ballafaqohen me drejtësinë, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës, institucionet e Kosovës do t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnik. Ne duam të investojmë edhe në atë pjesë të Kosovës dhe qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime. Ata kanë nevojë më tepër për shkolla të reja, ambulanca, kanalizim, ujësjellës, për një jetë të re, sesa për politikën e vazhdueshme mashtruese të Beogradit.

Zëri i Amerikës: Pas takimit me ju, kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi që siç tha edhe Kosova të jap më shumë në zgjidhjen e situatës në veri. Cilat ishin saktësisht kërkesat e saj zoti Kryeministër?

Hashim Thaçi: Definitivisht, vizita e kancelares Merkel ka qenë mesazhi më i qartë për përkushtimin jo vetëm të Gjermanisë, por përkushtimin e BE-së për evropianizimin e rajonit. Mesazhi ishte shumë i qartë se nuk do të ketë struktura ilegale dhe paralele, se Kosova është sovrane dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm, se për të lëvizur drejt BE-së, secili shtet e ka obligim normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Dhe e ardhmja e Serbisë për në BE kalon përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore më Kosovën, siç varet edhe e ardhmja jonë evropiane dhe e vendeve të tjera, sepse fqinjësia e mirë është parakusht për të ardhme evropiane të të gjitha vendeve në rajon. Kështu që ,ne do të respektojmë në përpikëri dokumentin më të avancuar për komunitete që e ka ndonjë vend evropian e ai është dokumenti i presidentit Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: S’kishte ndonjë kërkesë më të posaçme se çfarë mund të bëjë më shumë Kosova?

Hashim Thaçi: Kosova do të vazhdojë të jetë sa më afër qytetarëve në veri. Ne duam të jemi sa më afër tyre, ne mesin e tyre, t’i dëgjojmë, të komunikojmë dhe t’i kuptojmë drejt shqetësimet e qytetarëve. Për fat të keq, aty janë 200 – 300 njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme tash e 12 vite përmes kontrabandës, që mbajnë peng vullnetin e qytetarëve në veri, që kërcënojnë njerëzit, që nxjerrin fëmijë, gra dhe pleq në rrugë por edhe barrikada, që paguajnë njerëz për të qëndruar në barrikada të ndryshme. Prandaj, zgjidhja e vetme është lëvizja e lirë dhe krijimi i hapësirës dhe kushteve demokratike për jetë të re integruese në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Shembulli më i mirë është pjesa tjetër e Kosovës ku janë formuar komuna të reja, ku më herët ka pasur barrikada dhe struktura paralele. Me heqjen e barrikadave kemi lëvizje të lirë. Me largimin e strukturave ilegale, kemi institucione legjitime. Bashkëpunimi në mes qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale është i shkëlqyeshëm. Ne investojmë atje dhe shembulli më i mirë është Shtërpca ku për 12 vite të tëra ishin bllokuar investimet në qendrën e skijimit në Brezovicë. Tash procesi i privatizimit ka filluar. Do të investohen mbi 100 milion euro. Ato investime shkojnë më së tepërmi në interesin e vet komunitetit lokal. Prandaj ne duam që edhe në veri të kemi rend demokratik, të kemi sundim të ligjit, demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim dhe të vazhdojmë me investime socio-ekonomike. Kjo është zgjidhja e vetme dhe është shumë afirmative por edhe obligim i yni kushtetues dhe ligjor.

Zëri i Amerikës: Për fillimin e vitit të ardhshme është paralajmëruar vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Kritikët tuaj thonë se me bisedimet me Serbinë nuk kanë sjellë asnjë rezultat për Kosovën ndërsa ju kanë kritikuar edhe për moszbatim të vendimit të Parlamentit për masa të ndërsjella me Serbinë. Si ju përgjigjeni?

Hashim Thaçi: Nuk dëshiroj të merrem sonte në këtë intervistë festive me deklarimet injorante dhe mund të them lirisht jo realiste të atyre njerëzve që deklaronin ashtu siç deklaronin nga mungesa e informacioneve apo nga prizmi njëpartiak, elektoral. Unë kam obligim të ndërtojë shtetin dhe jam i besuari i qytetarëve që të udhëheqë këtë proces. Dhe mbi të gjitha për mua është interesi shtetëror sesa deklarimet ditore politike. Dialogu nuk është që ne duhet të shprehim vetëm vullnetin tonë. Është opsioni i vetëm për të lëvizur përpara. Dialogu ndërshtetëror. Ne kemi punuar bashkërisht si shtet i Kosovës edhe me Maqedoninë në procesin e demarkacionit, me Shqipërinë, me Malin e Zi gjithashtu. Ndërsa dialogu ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe obligim i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tani kemi arritur gjashtë konkluzione të përbashkëta. Kosova ka arritur që të tregojë fleksibilitetin e duhur, të tregojë përgjegjësinë më të lartë shtetërore. Për Kosovën, në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për fuqizimin si shtet kemi perspektivën e qartë evropiane, ndërsa ju e dini dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë botës e dinë qëndrimin e BE-së për Serbinë, që ishte një refuzim total dhe unik i Brukselit për sjelljen, mund të them antievropiane të Serbisë në raport me Kosovën. Pra për Kosovën u hap perspektiva konkrete evropiane para pak ditësh nga Brukseli, ndërsa për Serbinë ishte një qëndrim refuzues, kategorik, unik gjithë evropian. Prandaj, thjeshtë zërat injorantë, dështuan.

Zëri i Amerikës: Në hapjen e kësaj perspektive, e keni përmendur edhe çështjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Por, edhe ju vet e keni thënë se ka disa sfida siç janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova këtë vit doli në një pozitë aspak të mirë me shkallën e korrupsionit. Cili është shpjegimi nga pikëpamja juaj, zoti Kryeministër?

Hashim Thaçi: Perspektiva evropiane për Kosovën është arritur pikërisht nga qeverisja e mirë, nga zotimi ynë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është arritur kjo perspektivë në bazë të qeverisjes efektive dhe efikase, punës konkretë që është bërë në listën për implementimin e agjendës evropiane. Unë më herët kisha premtuar hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave për 15 muaj, kjo ndodhi për 9 muaj. Por, kjo nuk duhet të na kënaqë. Ne kemi një listë të tërë që duhet ta implementojmë edhe në të ardhmen, në mënyrë që definitivisht të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Evropë. Ajo listë do të implementohet dhe është një punë e madhe ekipore që po ndodhë. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojë të mbetet një nga sfidat kryesore si fenomen edhe rajonal. Por, institucionet e Kosovës, qeveria e saj janë zotuar që të vazhdojnë. Natyrisht, në këtë drejtim kërkohet mbështetje e të gjithëve, koordinim nga të gjithë edhe qeverisë, edhe parlamentit edhe presidencës edhe shoqërisë civile edhe medieve dhe të gjitha autoriteteve tjera. Por, gjithmonë duhet kuptuar edhe atë se pushtetet janë të ndara. Gjithçka që do të varet nga ekzekutivi kosovar, ne do ta kryejmë. Kërkohet këmbëngulësi dhe efikasitet edhe më i madh nga autoritetet e drejtësisë, për çka kam besim se do të ketë lëvizje edhe më efektive edhe prej tyre. Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete më tepër për sistemin e drejtësisë

Zëri i Amerikës: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga paralajmëroi themelimin e Këshillit Antikorrupsion, që do të përcaktojë politikat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Si e shihni këtë nismë dhe a do ta mbështesni?

Hashim Thaçi: Unë e falënderoj shumë presidenten për mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës në përkushtimin për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E ritheksoj, vetëm duke u angazhuar të gjithë rreth përkushtimeve tona për sundim të ligjit, ne do të kemi sukses. Prandaj, është një mbështetje jashtëzakonisht inkurajuese nga presidentja për filozofinë qeverisëse tonën, për vizionin tonë shtetndërtues, një koordinim i këtyre angazhimeve të përbashkëta, do të sjellë rezultate edhe më të mëdha. Kështu që, kam besim në suksesin tonë të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Kosova po hyn në vitin e katërtë të pavarësisë së saj të mbikëqyrur. Është paralajmëruar se kjo mbikëqyrje një ditë duhet të përfundojë. Kur e prisni një proces të tillë?

Hashim Thaçi: Viti 2012 është viti kur do të mbushen katër vjet të pavarësisë së Kosovës. Do të jetë viti i përmbushjes së obligimeve tona që kemi në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari. Pra, do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Natyrisht, nëse ne do të kemi rezultate konkrete, por kam besim të plotë se do ta përmbyllim me sukses.

Zëri i Amerikës: Çka e ndan Kosovën nga kjo pikë, nga ky moment?

Hashim Thaçi: Kosova ka lëvizur shumë përpara. Është duke u fuqizuar çdo ditë, është duke vërë reforma të thella demokratike në të gjitha sferat. Ne duhet t’i kryejmë obligimet që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari në tërësi. Mbi 90 për qind të këtij dokumenti veç e kemi implementuar dhe do të vazhdojmë me dinamikën e njëjtë edhe vitin e ardhshëm. Grupi Drejtues Ndërkombëtarë do të mblidhet në Vjenë në fund të janarit. Do të vlerësojë të arriturat e Kosovës dhe do të marr vendim për të ardhmen e këtij procesi. Por, unë kam besim se progresin që do ta prezantojë në Vjenë në fund të janarit, do të jetë bindës për të gjitha shtetet e Grupit ndërkombëtarë për pavarësinë e Kosovës dhe do të jetë një vendim unik që të intensifikohet gjithë agjenda e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur për Republikën e Kosovës. Kosova është e zonjë të vetëqeverisë mirë.

Zëri i Amerikës: Kosova është në një periudhë ndryshimesh kushtetuese që në radhë të parë nënkuptojnë përcaktimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit. A jeni ju pjesë e këtyre ndryshimeve dhe mbase një pyetje më personale a do të jeni pjesë e konkurrencës për postin e presidentit?

Hashim Thaçi: Janë duke ndodhur reforma të gjithanshme. Nuk është reformë vetëm për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Janë duke ndodhur edhe reformat për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe ky është një shembull shumë i mirë i politikës kosovare që punojmë bashkërisht pozitë dhe opozitë për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme pas dy vitesh, për sistemin zgjedhor. Por, në të njëjtën kohë kërkohen edhe ndryshime kushtetuese për rolin, mandatin dhe fuqinë e presidentit, kur të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndërsa sa i përket pyetjes suaj konkrete, unë ndjehem tepër mirë në krye të ekzekutivit kosovar. Jemi duke implementuar projektet më të fuqishme në historinë e Kosovës. Kam agjendën dhe vizionin tim të prezantuar para qytetarëve për çka edhe kam fituar besimin e tyre që të udhëheqë ekzekutivin. Ky është mandati i dytë dhe kontrata ime me qytetarë është e shenjtë, do ta respektoj në përpikëri dhe nuk e thyej vullnetin dhe besimin e qytetarit me asnjë çmim dhe asnjë post. Do të vazhdoj të kryej obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore duke respektuar gjithmonë legjitimitetin qytetar që të jem në shërbim të së mirës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

KOMENTE