Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Policia e kryeqytetit ditën e sotme ka bërë analizën e punës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës për vitin 2011.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muça u shpreh se në fokus të veprimtarisë së policisë, kanë qenë zbatimi i prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara në fushën kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimeve ndaj pronës, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe rritjes së besueshmërisë së publikut tek policia, të cilat janë realizuar dhe në disa raste janë tejkaluar.
“Në territorin e Qarkut Tiranë, është marrë dijeni dhe janë referuar 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8% e tyre. Në krahasim me vitin 2010, kemi një rritje të evidentimit me 1274 vepra penale, dhe njëkohësisht rritje të fuqisë zbuluese me 2.8%. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë. Evidentojme faktin se, gjate këtij viti 2011 janë kapur 345 persona te shpallur në kërkim ose 68 më shumë në krahasim me vitin 2010”, u shpreh Muça, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në vijim të fjalës së tij Drejtori i Policisë së Tiranës tha se, vepra penale në fushën Kundër Krimeve të Rënda, janë evidentuar gjithsej 290 , zbuluar 212 ose 73.1% e tyre, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar, 56 proceduar në gjendje të lirë dhe 47 shpallur në kërkim. Në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar evidentohen 65 vepra penale më shumë, ndërkohë që fuqia zbuluese është rritur me 2 %.
Sakaq për vitin 2012, Muça theksoi se Drejtoria e Policisë së Tiranë synon, rritjen e treguesve të performancës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e qarkut, në vazhdimin e punës për parandalimin dhe zbulimin e krimeve, në përsosjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me komunitetin duke e konsideruar veten një shërbim të rëndësishëm publik në dobi të të gjithë shoqërisë.
a.y/NOA