English

Topi-gazetarëve: Takimi i fundit si President

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA- Në pritjen e përvitshme me gazetarët, Kreu i Shtetit Bamir Topi u tha atyre se ky është takimi i fundit si President.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Presidenti u shpreh se, “Ky është takimi i fundit si President, në pritje të tilla. Kam qenë inkurajues i rrotacioneve të natyrshme sidomos në shoqëri si e jona”.

Ai falënderoi gazetarët dhe drejtuesit e mediave për të gjitha komunikimet që ka zhvilluar si dhe për misionin e tyre.

Topi vlerësoi me nota maksimale zhvillimin që ka patur media, ndërsa theksoi se sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë shtohet dinamika e mediave.

Ai i cilësoi mediat si instrumentin më të dashur për shqiptarë kudo ku jetojnë, ndërsa tha se njerëzit sot kërkojnë një media të lirë e të pavarur.

Duke iu referuar televizionit publik, Presidenti u shpreh se, “RTSH, ky televizion i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e meritës, infrastrukturës e gazetarëve, dua të them se është televizion i gjithë shqiptarëve pavarësisht nga orientimi apo pakënaqësitë që ka për dikë. Duhet të rritet besueshmëria te ky televizion”.

Sipas tij vetëm e vërteta dhe profesionalizmi duhet të dominojë dhe kjo theksoi ai nuk vlen vetëm për mediat por edhe për politikën.

“Viti 2012 të jetë vit i suksesshëm për të gjithë për të marrë statusin e vendit kandidat, ku ju jeni kontribut i jashtëzakonshëm”, mbylli fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar.

a.y/NOA

KOMENTE