English

Viti i fundit si President

Nga Bamir Topi

Padyshim që është një moment i veçantë i veprimtarisë sime si President takimi në fund të vitit me gazetarë, me miq. Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si President, pasi, sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rrotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që, për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë, nga ana tjetër, vende si i yni kanë patur një zhvillim dinamik shumë të fortë. Dhe kjo e ka shoqëruar jetën e politikës, jetën e institucioneve shqiptare dhe të medias gjithashtu. Unë do ju falënderoja përzemërsisht për të gjithë atë komunikim qytetar që kam pasur me ju! T’ju falënderoj për këtë mision të vyer që ju keni demonstruar! Të vlerësoj me nota maksimale atë zhvillim të jashtëzakonshëm që ka pasur media gjatë këtyre viteve në Shqipëri, madje do të thoja se, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë dinamizëm shohim, jo thjesht në përmirësimin e teknologjisë, që do e konsideroja një arritje shumë specifike për Shqipërinë, aq sa duke e krahasuar me elemente të tjera të zhvillimit të jetës politike dhe institucionale, media është në pararojë për sa i përket zhvillimit teknologjik, duke kaluar vende, të cilat kanë jo vetëm traditë demokracie, traditë lirie, por edhe traditë të medias. Kështu që kjo ju dedikohet absolutisht ju dhe vetëm ju: pronarëve të medias, por edhe të gjithë profesionistëve që kanë punuar krahas tyre, sepse nuk mjafton të jesh administrator i një ndërmarrjeje le ta quajmë, por kjo ndërmarrje merr jetë vetëm në saj të vizionit të profesionistëve që unë e shikoj me shumë admirim tek secili prej jush. Natyrisht që një ditë si kjo nuk na lejon që të hyjmë në diskutime, të cilat ne i kemi bërë ose nëpër studio, apo në prononcime në aktivitete të ndryshme të karakterit shoqëror dhe politik, pasi kjo ditë është veçanërisht për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin. Do të thoja që krahas zhvillimit të jashtëzakonshëm që ka media, si kudo, në çdo fushë, ka edhe relativitet, ka një konkurencë. Dikush është përpara, dikush është më pas, por të gjithë së bashku patjetër që shkojmë në sintoni edhe me problemet që ka vendi ynë. Unë mendoj që, një vend në tranzicion nuk mund të realizojë ‘lege artis’ gjithçka brenda një kohe të caktuar. Patjetër, ky është një proces jo revolucionar do të thoja, është një proces evolucionar, ndonëse media në momente të caktuara ka treguar që di të bëjë dhe revolucion. Unë, meqenëse po flasim për median dhe besoj që është instrumenti më i dashur sot për shqiptarët, jo vetëm për ata që jetojnë në Shqipëri, por kudo ku ata jetojnë, në viset shqiptare, në diasporë, shumë larg Shqipërisë, është një mjet komunikimi. Është një mjet për të ruajtur së pari dashurinë për atdheun, dashurinë për gjuhën, dashurinë për traditën dhe historinë dhe është një motiv shumë i fortë që ata të ndihen kudo si qytetarë si në Shqipëri, në Amerikë, në Australi, pra, të gjitha ndjesitë që vijnë nga ata janë të tilla sikur ata jetojnë këtu. Madje, ndonjëherë, në mënyrë paradoksale do të shikoni njerëz më të informuar kur jetojnë larg, se sa ata që e jetojnë realitetin çdo ditë dhe e shikojnë me sytë e tyre. Mesazhi më i rëndësishëm që do të jepja sot për median është që media, pavarësisht se është bashkudhëtuese e të gjitha ngjarjeve, duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, më shumë profesionalizëm dhe atë që ndoshta ne për hir të elegancës së komunikimit, apo për hir të mesazheve diplomatike, shpeshherë nuk e themi, publiku i thjeshtë e thotë, njerëzit e thjeshtë e konstatojnë. Dhe ata janë shumë të aftë që të bëjnë diagnozën, edhe të simptomave që shikohen për fat të keq ndonjëherë edhe në media, ku militantizmi i verbër i ngjitet politikës, e bën atë jo që të ngrihet në pozicionin e saj, aty ku duhet të jetë si interprete e problemeve që kanë njerëzit, por janë bashkudhëtarë duke e kthyer median në disa raste si një instrument të denatyruar nga misioni i informimit të drejtë publik. Sot nuk jemi për të bërë një analizë, sepse edhe mua nuk më takon ta bëj këtë analizë, por secili nga ju, që është aktor në këtë mjedis të rëndësishëm të gazetarëve, të opinionistëve, është në gjendje që ta bëjë diagnozën më mirë se sa unë. Secili e flet, secili e diskuton dhe secili bën analizën në mënyrë shumë të thellë dhe profesionale, por qoftë nga solidariteti profesional, qoftë për të ruajtur një lloj ekuilibri midis jush, ju e shikoni, e konstatoni, por nuk e thoni. Por njerëzit sot kërkojnë një media vërtet të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues, Radio-Televizioni Publik Shqiptar. Është hera e parë ndoshta që unë e marr në konsideratë këtë fakt, nuk do të bëj absolutisht asnjë lloj kritike, sepse në këtë atmosferë patjetër ne duhet që të përshëndesim njëri-tjetrin, por një element edhe mund ta hedhim për t’i shërbyer më shumë vitit që vjen që ky Televizion, i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e emrit, por edhe infrastrukturës, por edhe i kontigjentit të gazetarëve, të cilët i përshëndes, duhet që të bëhet më i besueshëm për publikun. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demontrojnë që ëshë një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët. Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata gazetarë, të cilët kanë ndjekur sidomos gjatë vitit 2011 ngjarje që kanë qenë shumë intensive në Shqipëri. I kanë ndjekur me shumë guxim, me shumë trimëri. Them fjalën trimëri se janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba. Pra, gazetarë të cilët meritojnë të vlerësohen, të cilët meritojnë patjetër që të promovohen dhe unë dëshiroj që nga pozicioni i Kryetarit të Shtetit t’ju inkurajoj në të gjithë misionin tuaj! Jam i bindur që vetëm e vërteta dhe profesionalizmi do të dominojë. Kjo vlen për politikën, vlen për institucionet, vlen për mediat dhe sidomos vlen për mediat, të cilat në mjaft raste nuk kanë nevojë të jenë të atashuara pranë interesave të politikës. Media është një instrument shumë i fuqishëm dhe është një instrument për qytetarin. Dhe unë në emër të qytetarëve, duke u nisur nga ajo predispozitë kushtetuese që ka Presidenti i Republikës për të qenë interpret i zërit të qytetarëve, ju falënderoj për gjithçka që keni bërë dhe ju inkurajoj që viti 2012 të jetë i suksesshëm për të gjithë, për të gjithë shqiptarët për të realizuar ëndrrën evropiane, për të marrë statusin e vendit kandidat, ku patjetër ju jeni kontribues të jashtëzakonshëm së bashku me të gjithë të tjerët! Edhe njëherë gëzuar dhe qoftë një vit i mbarë pë të gjithë ne! Urime!"

KOMENTE