Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Balerini Kledi Kadiu u prit sot në takim nga Presidenti i vendit Bamir Topi dhe nga Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Gjatë takimit me balerinin e njohur shqiptar me banim në Itali, Presidenti uroi “Një Vit të Ri 2012 sa më të gëzuar e të mbarë”.
Kreu i Shtetit çmoi veprimtarinë e shquar artistike të balerinit shqiptar, i cili është shpallur edhe “Ambasador i Kombit” në vitin 2008 nga Presidenti Topi.
Ai vlerësoi me krenari të gjithë ata bashkatdhetarë si balerini Kadiu, të cilët janë dalluar në Evropë e më gjerë me karrierat dhe profesionalizmin e tyre, por në radhë të parë me ndjenjat e spikatura të atdhedashurisë duke lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.
Nga ana e tij, balerini Kadiu, theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të nderuar gjithmonë emrin e kombit shqiptar dhe në veçanti për të nxjerrë edhe më në pah vlerat dhe talentin e artistëve shqiptarë.
Më tej balerini shqiptar u prit dhe u vlerësua lartë për kontributin në përfaqësimin e vlerave më të mira të shkollës dhe kulturës shqiptare në Itali, nga kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto.
Ministri shprehu gatishmërinë për të mbështetur projektet e reja që Kledi Kadiu do të ketë në funksion të promovimit të kulturës dhe imazhit të Shqipërisë në botë. Në takim u diskutua gjithashtu për organizimin e emigracionit shqiptar, me qëllim integrimin e tyre sa më të mirë në shoqërinë italiane si dhe për ruajtjen e lidhjeve të forta me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
a.y/NOA