Durrës, 23 dhjetor 2011, NOA- Me rastin e festave të fundvitit ashtu siç është bërë traditë, fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, ditën e sotme morën pjesë në aktivitetin festiv të organizuar enkas për ta.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, kjo veprimtari festive, u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Pushimit në Durrës, ku ata kanë qëndruar prej dy ditësh.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke i uruar fëmijët për Vitin e Ri, shprehu nderimin për veprën dhe sakrificën sublime të punonjësve të rënë në krye të detyrës si dhe përkushtimin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
Urime të përzemërta i ka drejtuar fëmijëve të punonjësve të rënë në krye të detyrës edhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka shprehur kënaqësinë që po ndante bashkë me këta fëmijë gëzimin e festave të fundvitit.
“Të mblidhemi për të festuar, por mbi të gjitha të mblidhemi për t’i treguar njëri tjetrit dhe gjithkujt se ne jemi dhe do të jemi gjithmonë krah, çdo moment, ashtu si në momentet e vështira të jetës, dhe në momentet e bukura që na bien festat”, tha ndër të tjera Ministri Nishani.
Më tej festa ka vijuar me një program të këndshëm artistik të përgatitur enkas për këtë festë nga aktorët e Estradës së qytetit të Durrësit dhe nga artistët e vegjël të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Gjatë festës janë organizuar edhe lojëra të ndryshme të organizuara nga animatorët. Më pas, secilit prej 214 fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës (deri në 18 vjeç), u janë shpërndarë pako me dhurata si dhe kanë përfituar një shumë prej 14 mijë lekësh të reja, ndërkohë që familjet pa fëmijë ose me fëmijë mbi 18 vjeç kanë përfituar nga 7 mijë lekë të reja.
Ky donacion është siguruar nga kontributi personal i vetë punonjësve të Policisë së Shtetit si dhe disa donatorëve të tjerë.
a.y/NOA