Tiranë, 23 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pak çaste më parë lidhur me deklaratën e sotme të ministrit të Drejtësisë, z. Eduard Halimi i cili kërkoi ndëshkim ndaj Prokurorit të Tiranës dhe atij të çështjes së djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani. i riu i cili u arratis pas vrasjes së kryer disa muaj më parë, u dënua me një periudhë minimale vuajtje dënimi dhe Halimi e konsideroi pretencën që dha prokuroria si abuzive.
Ina Rama në reagimin sonte thotë se po përgjigjet publikisht lidhur mbi inspektimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me procedimin penal nr. 597 i vitit 13.02.2011, dhe letrës së datës 23/12/2011 që i ka dërguar Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe Prokurores së Përgjithshme znj. Ina Rama mbi përfundimet e këtij inspektimi.
“Prokuroria e Përgjithshme është e detyruar të informojë opinionin publik se deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim”.
Më tej deklarata vijon: “Çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë”.
Ina Rama thotë se në deklaratën e z.Halimi atakohet organi i prokurorisë për mosrespektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal, dhe kjo bëhet me fjalë të përgjithshme dhe jo duke marrë parasysh dispozitat konkrete të veprës penale dhe marzhin e dënimit që parashikohet për këto vepra, të cilat duke u analizuar me rrethanat e tjera që ndikojnë llojin dhe masën e dënimit, përcaktojnë dhe politikën e dënimit. “Sidoqoftë, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, duhet të kujtojmë si opinionit publik ashtu edhe Ministrit të Drejtësisë, se i vetmi institucion kushtetues i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor, llojin dhe masën e dënimit të përshtatshme, është vetëm Gjykata. Kompetencën për drejtësinë e këtij vendimi apo fuqinë për ta ndryshuar atë e ka vetëm një gjykatë më e lartë, por kurrsesi një organ ekzekutiv”, - përfundon deklarata e ashpër e zonjës Ina Rama që rikthen kështu luftën mes qeverisë dhe organit që ajo drejton.
e.t/NOA
Si erdhi replika: Rasti Xhuvani, Halimi: Dy vite burg për vrasje, e papranueshme