"Alternativa e parë ra në ujë pasi myslimanët shqiptarë ishin komunitet shumicë ndër shqiptarët dhe shfarosja e tyre me rastin e zbimit të planifikuar të Perandorisë Osmane nga Ballkani jo që nuk ishte e pamundur, por mbartte një rrezik tjetër në vete"...
Nga Nexhmedin Spahiu
Këtë pyetje ua pata bërë studentëve të mi pasuniversitarë në Universitetin e Hamburgut pesë vite më parë, të cilëve u ligjëroja lëndën “Konceptet politike të vendeve të Ballkanit”. Një student që kishte lexuar “High Albania” të Edith Durhamit, u përgjigj se përderisa shqiptarët deri në fillim të shekullit XX kanë bërë jetë në fise, sigurisht që nuk mund të jenë një komb multietnik. Por, një student tjetër, që e dinte faktin se ndër shqiptarë ka edhe myslimanë, edhe të krishterë, tha: “Po si ka mundësi, pra, që kombi shqiptar të jetë multifetar nëse të qenët ‘multi’ qenka cilësi e zhvillimit të një kombi?”.
Në shekullin XIX, të gjitha etnitë në Ballkan ishin multifetare
Kombi shqiptar, si dhe të gjitha kombet e tjera në Ballkan, u ngjiz mbi bazën e një etnie: etnisë shqiptare. Në shekullin XIX të gjitha etnitë në Ballkan ishin multifetare. Kishim edhe grekë myslimanë, edhe serbë myslimanë, edhe vllahë myslimanë edhe bullgarë myslimanë. Pikërisht kur filluan zgjimet kombëtare në Ballkan mbi bazën një komb – një fe – një atdhe, myslimanët e këtyre etnive në fjalë o u rikthyen në të krishterë, o vranë e prenë nga vëllezërit e tyre të gjuhës e të gjakut, o u konvertuan në turq. Kështu, grekët, serbët, rumunët dhe bullgarët u krijuan si kombe monoetnike dhe monofetare. Të gjithë këta të krishterë ortodoksë, me përjashtim të etnisë bullgare ku ngelën ca oaza të bullgarëve myslimanë në Shqipëri e Maqedoni, por që nuk u pranuan si pjesë integrale e kombit bullgar.
Atëherë shtohet pyetja: Si ka mundësi që kombet fqinje të shqiptarëve u treguan kaq primitive e barbare që në zanafillën e tyre, ndërsa shqiptarët, të cilët në shekullin XIX ishin akoma më primitivë se fqinjët e tyre në shumë fusha të jetës, të ngjizen si një komb “multi”? Në këtë rast, si një komb multifetar. Përse nuk ndodhi që myslimanët si komunitet shumicë t’i shfarosnin bashkatdhetarët e tyre të krishterë, ashtu siç vepruan edhe serbët, grekët e bullgarët ndaj vëllezërve të tyre të fesë pakicë?
Alternativat për Austro-Hungarinë, protektorin e shqiptarëve
Përgjigjja është te protektori i shqiptarëve, Austro-Hungaria. Kur Austro-Hungaria, për interesat e saj, vendosi të investonte në komb-krijimin shqiptar, kishte tri alternativa: 1. Që të krijonte komb nga të krishterët shqiptarë dhe të shfaroste myslimanët shqiptarë. 2. Që të krijonte komb nga myslimanët shqiptarë dhe të shfaroste të krishterët shqiptarë. 3. Që të shkonte një rrugë më të gjatë e më të komplikuar e që kërkonte investim shumë më të madh: të krijonte një komb multifetar, ashtu siç edhe u ngjiz më në fund kombi shqiptar.
Alternativa e parë ra në ujë pasi myslimanët shqiptarë ishin komunitet shumicë ndër shqiptarët dhe shfarosja e tyre me rastin e zbimit të planifikuar të Perandorisë Osmane nga Ballkani jo që nuk ishte e pamundur, por mbartte një rrezik tjetër në vete. Nëse do të shfaroseshin myslimanët shqiptarë, ishte lehtë e mundshme që territoret t’i merrte Serbia, Greqia e Bullgaria para se kombi kristian shqiptar të ngjizej dhe para se aty të merrte rrol Austro-Hungaria.
Alternativa e dytë ishte e pamundur për shkakun se si do ta arsyetohej para opinionit të brendshëm që një shtet i krishterë (Austro-Hungaria) po investonte te një komb mysliman që po shfaroste të krishterë.
Kështu u zgjodh alternativa më e komplikuar, më e zorshme dhe më e kushtueshme, por që ishte e implementueshme. Megjithëse pikërisht atëherë kur u duk se projekti përfundimisht u realizua ndodhën: Republika e Mirditës, Lëvizja autonomiste e Epirit të Veriut dhe shteti islamik i Haxhi Qamilit. Me gjithë këto sfida përfundimisht kombi shqiptar u ngjiz si komb multifetar e monoetnik.
Multietniciteti shqiptar
Por, a mjaftuan 99 vite që kombi shqiptar të zhvillohet në një komb multietnik, këtë e tregojnë shembujt e mëposhtëm.
Kur u rikthyen në punë në Universitetin e Tiranës pas ngjarjeve të vitit 1997, pyeta një student timin se si vajtën ngjarjet në Delvinë? Ky student, që ishte më i miri në klasë, u përgjigj: “Profesor, ne ishin në këtë kodër, shqiptarët ishin në kodrën tjetër, ndërsa…”. E pyeta: “Je grek nga mëma apo nga babai?”. Ai u përgjigj: “Nga të dy”. Në këtë moment, gjithë klasa u kthye prapa e habitur: “Pirro, s’e paskëshim ditur që qenkësh grek”.
Në një rast tjetër, në një zyrë qeveritare ku punonin dy gra të moshuara, gjatë prezantimit vërejta se njëra kishte mbiemrin me “ska” në fund. “Ti qenke bullgare, apo jo?”, e pyeta. “Po”, tha. Kolegia e saj që prej 30 vitesh në po atë zyrë iu kthye me habi: “Uaa, vërtet qenke bullgare!?”.
Raste të tilla me vllahë, boshnjakë e romë kam hasur me qindra. Në një rast Shqipërinë e përfaqësoi Eurovision një këngëtare, etnia e njërit prind të së cilës nuk ishte shqiptare. Askush në opinionin publik nuk bëri kundërshtimin më të vogël edhe pse ky fakt ishte i ditur nga ngjyra e fytyrës së saj. Vetë fakti që ajo u përzgjodh me votim nga publiku i gjerë tregon atitudën e shoqërisë shqiptare lidhur me këtë çështje. Më 1994-n në Kroaci u zgjodh për “Miss” një vajzë etnia e së cilës më vonë u kuptua se ishte serbe. Pas publikimit të këtij lajmi asaj nuk iu mundësua përfaqësimi i Kroacisë në “Miss Univers”.
Kur ndodhin incidente të ndryshme (me përjashtim të një rasti në Himarë), asnjëherë në mediat e Tiranës nuk përmendet etnia e palëve në konflikt.
Këto fakte tregojnë se kombi shqiptar i ka integruar mirë pakicat etnike dhe kësisoj, brenda 99 viteve, kombi shqiptar është zhvilluar në një komb multietnik.
Të qenët multietnik për një komb është dëshmi e zhvillimit të atij kombi, dhe jo imponim, siç mendojnë shumica në Kosovë.
“Panorama”