"Mbreti i parë i vendit ishte në fakt një princ gjerman, Vilhelm Vidi. I instaluar me urgjencë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1914, ai zgjati vetëm pak muaj para se të largohej në mes të Luftës së Parë Botërore. I vetëshpalluri Zog I, Mbreti i Shqiptarëve (jo vetëm Shqipërisë) u mbërthye në pushtet në periudhën 1928-1939 për t’u rrëzuar nga Musolin"...
Nga Thomas Vinciguerra
Nëse je monarkist i orëve të para, do të të vijë keq për Shqipërinë. Me një figurë të re në krye të Derës Zogu mund të ketë shpresa në horizont. Por shumë rrallë, në mos kurrë, një komb europian e ka pasur kaq fatkeqe familjen mbretërore.
Mbreti i parë i vendit ishte në fakt një princ gjerman, Vilhelm Vidi. I instaluar me urgjencë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1914, ai zgjati vetëm pak muaj para se të largohej në mes të Luftës së Parë Botërore. I vetëshpalluri Zog I, Mbreti i Shqiptarëve (jo vetëm Shqipërisë) u mbërthye në pushtet në periudhën 1928-1939 për t’u rrëzuar nga Musolini. Kur mbreti Zog vdiq në vitin 1961, i biri Leka, i lindur dy ditë para pushtimit italian, u bë pretendent i fronit. Por ai kurrë nuk u kurorëzua, pasi komunistët shqiptarë e shfuqizuan Monarkinë në vitin 1946.
Kur Leka, një mbret vetëm në emër për 50 vjet, ndërroi jetë më 30 nëntor të këtij viti, pak vetë e vunë re.
Në shumë aspekte është një histori e vjetër. Shekulli i 20-të nuk ishte i mbarë për monarkët: shumë nga ata që i mbijetuan Luftës së Parë e panë veten të shfronëzuar nga e Dyta. Faruk I i Egjiptit pat thënë se pa kaluar shumë bota do të ketë vetëm 5 mbretër-Mbreti i Anglisë dhe mbreti kup, mbreti maç, mbreti karro dhe mbreti spathi.
Megjithatë, disa prej ish-shtëpive mbretërore e kanë rimarrë ca nga dinjiteti i tyre i zbehur. Juan Carlos I e ringriti fronin spanjoll në vitin 1975. Otto von Habsburg, biri i perandorit të fundit të Austrisë dhe Mbret i Hungarisë, ishte anëtar i Parlamentit Europian dhe fitoi respekt të gjerë për avokatinë e pan-Europianizmit. Car Simeon II i Bullgarisë shërbeu si Kryeministër nga viti 2001 në vitin 2005. Mbreti Mikael i Rumanisë, datëlindjen e 90-të të të cilit e duartrokiti Parlamenti i vendit, dhe Princi i Kurorës Aleksandri i Jugosllavisë, ende gëzojnë ndjekës të konsiderueshëm.
Shtëpia mbretërore shqiptare m’anë tjetër ka qenë e pafat. Ndërsa ishte në pushtet, Zogu ishte një i ngujuar në kryeqytetin e vendit, Tiranë, dhe kalonte një pjesë të madhe të kohës dhe energjive duke u përpjekur për të shmangur atentatet, ndërkohë që luante poker dhe pinte 150 cigare aromatike në ditë. Ai zgjodhi si mbretëreshë një konteshë gjysmë amerikane të varfëruar, pasi ra në dashuri me foton e saj. Ajo ishte shitëse kartolinash në shitoren e dhuratave në Muzeun Kombëtar të Budapestit.
Pas Luftës së Dytë Zogu u përpoq ta rifitonte fronin me ndihmën e forca monarkiste që mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Por shumica u vranë ose u kapën falë informatave që i jepte Bashkimit Sovjetik tradhtari britanik Kim Filbi.
Zogu nuk mundi as të vendosej në Amerikë. Ai donte të sillte të gjithë shpurën e tij prej 115 vetash të jetonte me të në Knollwood, një vilë në Muttontown, Long Island. Por zyrtarët e emigracionit i thanë se do të lejonin vetëm 20 vetë. Kështu që Zogu nuk e pa kurrë Amerikën dhe pasi e shiti vilën, vandalët e kthyen përmbys duke kërkuar për thesare të fshehura.
Për një kohë të gjatë Leka nuk pati më shumë fat se i ati, falë, pjesërisht, raporteve të vazhdueshme se ai ishte trafikant armësh. Jo shumë kohë pas martesës në vitin 1975, Spanja i kërkoi atij dhe mbretëreshës Suzanë të linin vendin pasi çka u përshkrua si arsenal armësh u gjet në shtëpinë e tyre. Në Gabon aeroplani i tyre u rrethua nga trupa që pretendonin se ishin paguar nga Tirana për ta kapur; Leka i zmbrapsi me një raketëhedhës.
Në vitin 1993 Leka më në fund vuri këmbë në tokën shqiptare, por vetëm për pak orë para se autoritetet ta kthenin mbrapsht me pretendimin se kishte një pasaportë të pavlefshme. Në vitin 1997 ai u rikthye kur skemat piramidale kishin tharë kursimet e shumë familjeve, duke e zhytur Shqipërinë në kaos. “Unë nuk mund t’ua kthej paratë”, shpalli ai, “por mund t’u kthej vendin tuaj”. Prapëseprapë referendumi për formën e qeverisjes dështoi dhe më vonë gjykata e dënoi në mungesë me tre vjet burgim për udhëheqje të kryengritjes së armatosur, një incident ku mbeti i vrarë një person.
Me kalimin e viteve Shqipëria u ngroh me Lekën dhe monarkinë. Akuza për kryengritje u reduktua në zotërim armësh pa leje dhe qeveria e fali atë në vitin 2002. Parlamenti miratoi kthimin e tij, madje duke i dhënë disa prej pronave dhe tokave. Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha morën pjesë në funeralin e tij. Dita e varrimit të tij, 3 dhjetori, u shpall ditë zie kombëtare.
Tani Kurora e Derës së Zogut kalon te Leka II. E ardhmja monarkiste e 29-vjeçarit të diplomuar në Akademinë Ushtarake të Sandhurst-it në Britani është e paqartë. Por ai ka qenë këshilltar i disa qeverive shqiptare dhe Tirana duket se është bujare me prejardhjen e tij. Në vitin 2009 z.Berisha e quajti gjyshin e tij, Zogun, “një prej personaliteteve më të shquara, me një ndihmesë të pashoqe në historinë e kombit shqiptar”.
Kështuqë ndoshta ende ka një rol për Lekën si simbol i vendit të tij, si burim krenarie e uniteti kombëtar. Diku, patjetër që mbreti Faruk pyet veten nëse foli më shpejt seç duhet.
NOA