Mitrovicë, 23 Dhjetor 2011 NOA – Hetime intensive po kryhen nga Policia e Kosovës lidhur me përleshjen e përgjakshme të natës mes së martës dhe të mërkurës në veriun e Mitrovicës, ku dy grupe të personave, rreth 60 prej tyre, janë përfshirë në një rrahje masive për shkaqe që besohet se janë larje hesapesh, por që tronditën qytetin.
Së paku, nëntë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të ndryshme, kryesisht, lëndime të lehta dhe prerje në pjesë të ndryshme të trupit, nga mjetet e vëna në përdorim gjatë rrahjes. Dyshohet se motiv i mundshëm i kësaj rrahjeje është konflikti i interesit të grupeve huligane. Hetuesit policorë të stacionit veri në Mitrovicë, kanë iniciuar hetimet për vepra penale “dëmtim të pronës” dhe “shkaktim të lëndimeve trupore” ndërsa janë në proces të mbledhjes së informatave për identifikimin e mundshëm të personave të përfshirë në rrahje. Incidente të tilla të grupeve të të rinjve në veri të Mitrovicës, janë raportuar të kenë zënë vend edhe më herët. Nuk është raportuar për të arrestuar deri në këtë moment.
Çfarë ndodhi në Mitrovicë ku u trazua një qytet i terë
Përleshja nisi në orën 23.00 të së martës në rrugën “Llolle Ribara” ndërsa grupi i të rinjve fillimisht ka shkatërruar plotësisht dy automjete civile pronë të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe. Ndjekja dhe rrahja e grupeve të të rinjve, ka vazhduar edhe në dy lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës. Ata kanë shkatërruar një dyqan dhe makina të tjera.
Të njoftuar për ngjarjet që po precipitonin, njësitë policore të stacionit veri dhe atij Zveqan, janë vënë në kryerje të detyrës për të parandaluar eskalimin e mëtejmë të situatës. Por megjithatë rrahja masive është përhapur në rrugën “Knjaz Millosh” ku janë thyer xhamat e një lokali të ushqimit të shpejtë, Fast Food.
Këtu, kanë qenë policët patrullues, të cilët kanë reaguar të parët në vendngjarje. “Patrulluesit janë obliguar të vënë në përdorim spërkatësin lotsjellës, për të ndarë grupet e përfshira në rrahje të cilët përdornin mjete të forta”, - i thanë agjensisë së lajmeve NOA.al, burime zyrtare nga Policia e Kosovës. Njëri nga zyrtarët policor, si mënyrë paralajmëruese, duke konsideruar të domosdoshme veprimin e tij, ka vënë në përdorim armën zyrtare, duke shtënë në ajër me plumba, me qëllim të parandalimit të grupeve vandale të cilët mund të shkaktonin lëndime të rënda trupore gjatë rrahjes, me përdorim të shkopinjve dhe gjësendeve të tjera të forta. Rrahja, përndjekja dhe vandalizmi në rrugë, nuk ka përfunduar me reagimin e patrullave policore.
Të dyja grupet e përfshira në rrahje, janë larguar në drejtim të rrugës “Mbreti Petër” ndërsa në shënjestër të dëmeve materiale ishte edhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës, me ç’rast, xhami i pasmë i automjetit zyrtar është dëmtuar si rezultat i goditjeve me mjete të forta nga grupi i sulmuesve. a.b/NOA