Tepelenë, 23 dhjetor 2011, NOA – Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj ka vizituar dje qendrën sociale "Dora e Ngrohtë" në qytetin e Tepelenës. Malaj është takuar me ekipin drejtues të kësaj qendra ku trajtohen fëmijë me aftësi të kufizuara. Ai është njohur nga afër me kushtet dhe punën që bëjnë drejtuesit dhe punonjësit e qendrës për të trajtuar fëmijët.
Malaj ka diskutuar me drejtorin e qendrës “Dora e Ngrohtë” Gjon Dervishi për problemet e qendrës dhe ka shprehur mbështetjen për misionin që kanë marrë përsipër në trajtimin e fëmijëve me probleme mendore dhe fizike. Deputeti Malaj ka bërë dhe një donacion simbolik për fëmijët e kësaj qendre me rastin e festave të fund vitit.
“Qendra është një shembull konkret i zemrës dhe dorës së ngrohtë, për grupet sociale në nevojë. Një ekip i përkushtuar, një qendër e jashtëzakonshme. Të gjithë duhet të afrojmë më shumë solidaritet, më shumë mbështetje, më shumë dashuri njerëzore për këta njerëz, dhe më shumë mirënjohje për themeluesit dhe stafin e mrekullueshëm të këtyre qendrave sociale”, u shpreh Malaj.
Në këtë vizitë anëtari i Kryesisë dhe deputeti Malaj shoqërohej dhe nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.
a.k/NOA