English

Naço: Biznesmenët maqedonas të investojnë në Shqipëri, klimë e favorshme

Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço ftoi biznesmenët e Maqedonisë që të investojnë në Shqipëri.

Deklarate e Naços u lëshua në një takim me homologun maqedonas Valon Saraçini.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në fjalën e mbajtur gjatë takimit Naço tha se, “Për tre mujorin e parë të vitit 2011 marrëdhëniet tona tregtare janë rritur me 30 për qind, pra ne kemi eksportuar rreth 22 milionë euro, por edhe importet e Maqedonisë në drejtim të Shqipërisë janë rreth 46 milionë euro, gjë që tregon se ndryshe nga një vit më parë, për shkak dhe të krizës globale, ekonomitë e dy vendeve tona kanë filluar të kenë më shumë zhvillime tregtare, më shumë eksport dhe import mallrash”.

Ai shtoi se qeveria shqiptare është e hapur ndaj investitorëve të huaj dhe ftoi të gjithë biznesin maqedonas për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri, pasi ndaj tyre do të krijohet një klimë e favorshme biznesi. Në këtë kuadër, Ministri Naço përmendi ligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja, sidomos ato mbi 10 milionë euro, ku shteti shqiptar merr detyrimeve ndaj të tretëve për këto investime që bëhen në Shqipëri.

Në këtë linjë Naço ftoi të gjithë biznesmenët maqedonas të që konkurrojnë për të fituar në procesin e privatizimeve.

“Ne kemi filluar një proces të thellë privatizimi dhe duke përfituar nga rasti, nëpërmjet jush z. Ministër, do të ftoja të gjithë biznesmenët maqedonas të vijnë, të konkurrojnë dhe të fitojnë në këto procese. Ne kemi filluar një proces privatizimi në sektorin hidrokarbur dhe shumë shpejt do të privatizohet dhe kompania më e madhe shtetërore e prodhimit të naftës, Albpetrol. Kemi filluar një proces privatizimi për rreth 1200 objekte të tjera shtetërore dhe, duke përfituar përsëri, ftoj nëpërmjet jush të gjithë bizneset maqedonase që të konkurojnë dhe të fitojnë”, deklaroi Naço.

Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraçini u shpreh se, dy vendet duhet të punojnë për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike mes tyre në të ardhmen

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë theksoi faktin se ka një interes në rritje të biznesmenëve shqiptarë që investojnë në Maqedoni dhe vetëm për dhjetë muajt e parë të këtij viti vlera e këtyre investimeve arrin rreth 2 milionë euro.

a.y/NOA

KOMENTE