English

Parashikimi i motit për 24 dhjetor 2011

Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, nesër territori shqiptar do të jetë nën ndikimin e një qendre të presionit të lartë atmosferik e vendosur në Ballkanin Lindor duke kushtëzuar mot të kthjellët por të ftohtë në të gjithë vendin. Edhe gjatë mesditës kthjellimet do të mbizotërojnë pothuajse në të gjithë vendin përjashtuar ekstremin verior dhe juglindjen ku do të ketë vranësira kalimtare.

Në kushtet e motit të qëndrueshëm do të mbetemi edhe gjatë pasdites pasi kthjellimet do të dominojnë në zonat e ulëta dhe ato bregdetare ndërsa zonat malore do të mbeten me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme. E njëjta situatë meteorologjike do të mbetet prezent edhe gjatë natës deri në mëngjesin pasardhës.

Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat e mëngjesit por mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të tyre në të gjithë vendin.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi verior dhe verilindor duke bërë që dallgëzimi në det të arrijë deri në 2 ballë.

Europa

Sërish nesër, Europa veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe reshjet e shiut dhe të dëborës do të dominojnë këto rajone. Problematike situata nga rrebeshet e shiut dhe dëbora e dendur do të paraqitet në zonën e Alpeve dhe në Gjermani pasi vranësirat do të fuqizohen gjatë mesditës dhe për pasojë do të gjenerojnë reshje të konsiderueshme shiu e dëbore por gjatë pasdites vranësirat do të zhvendosen drejt vendeve të Balltikut duke gjeneruar reshje të konsiderueshme shiu e dëborë në këto rajone. Gjithashtu reshjet e konsiderueshme të shiut e dëborës shoqëruar me stuhi të forta ere do të ketë edhe një pjesë të Europës Juglindore të cilat do të përfshijnë Detin e Zi dhe vendet e Lindjes ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të mbetet me mot të kthjellët dhe vranësira kalimtare.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ishujt Britanik do të mbeten me shira të dendur dhe stuhi të forta ere

- Zona e Alpeve do të rrezikohen për dëborë të dendur

- Gjermania do mbetet me reshje shiu e dëborë dhe stuhi të forta ere

a.y/NOA

KOMENTE