Prishtinë, 23 dhjetor 2011, NOA “Ibrahim Rugova ka dhënë kontribut historik në zhvillimin e LDK-së dhe në zhvillimin e idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa me shpirtin e tij humanitar, me idetë e me dijen e tij kontriboi që Kosova të respektohet edhe në momentet më të vështira nga vende e tjera”. Këto vlerësime i bëri sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, në 22-vjetorin e themelimit të parisë, pas homazheve me anëtarët e Kryesisë së partisë para varrit të Presidentit historik dhe kryetarit shumëvjeçar të LDK-së, Ibrahim Rugova.
Mustafa po ashtu vlerësoi se Ibrahim Rugova ka kontribuar në zhvillimin e e një solidariteti të paparë në Kosovë, si forcë, dhe si energji e qytetarëve dhe e popullit të Kosovës, rinisë studentëve dhe intelektualëve të Kosovës në rezistencën ndaj një pushteti të ashpër represiv të Serbisë në Kosovë, transmeton QIK.
"Falë LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, sot ne po gëzojmë lirinë, po gëzojmë pavarësinë dhe po ndërtojmë në përgjithësi shtetin e Kosovës", tha Mustafa.
Paraprakisht, me rastin e këtij përvjetori, Kryesia e LDK së bëri homazhe te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Përvjetori i themelimit të LDK së, që shënon edhe fillimin e pluralizmit politik në Kosovë.
a.k/NOA