Tiranë, 23 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto priti sot në takim ambasadoren e Gjermanisë në vendin tonë Carola Muller-Holtkemper.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në vijim të takimit u nënshkrua “Protokolli i Shkëmbimit të Instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Evazionit Fiskal në lidhje me Taksat mbi të Ardhurat dhe Kapitalin”.
Ministri Haxhinasto e cilësoi shumë të rëndësishme këtë marrëveshje për të promovuar e nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimet e mëtejshme ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Nga ana e saj ambasadorja Holtkemper theksoi se kjo marrëveshje do t’u japë mundësi bizneseve që të zgjedhin vendin në të cilin ata do të paguajnë taksat, dhe me siguri biznesmenët gjermanë do të preferojnë Shqipërinë sepse sipas saj do të përfitojnë nga taksa e sheshtë që është vetëm 10 %. Ajo shtoi se Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimi në të gjithë tregun rajonal.
Mësohet se marrëveshja hyn në fuqi ditën e sotme me shkëmbimin e Instrumentave të ratifikimit dhe efektet financiare fillojnë nga zbatimi në datë 1 janar 2012.
a.y/NOA