"Fraza që la pa gojë dynjanë: I përket ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu, kur tha, i befasuar për mirë nga sjellja e Berishës që anuloi tubimin e paqes që e kish lajmëruar pasi vrau katër opozitarë në bulevard, se “Berisha është burrë shteti”...
Nga Mustafa Nano
Çdo herë, në prag të momentit të ndërrimit të viteve, gazeta e gazetarë bëjnë ndonjë résumé. Unë po bëj timen: ibri më i mirë: “Kohë e Pamjaftueshme” i Helena Kadaresë.
Ngjarja më surreale: Panairi i Librit, në të cilin star-ët ishin politikanët-autorë.
Fraza më e guximshme: I përket Ilir Metës, kur tha, pas aktivizimit të Prokurorisë lidhur me video-përgjimin e bisedës mes tij e Priftit, se “do ta çmontoj korrupsionin në sistemin e drejtësisë”.
Kampion i opozitarizmit: Ambasadori danez Karsten Ankjaer Jensen.
Show më i mirë televiziv: Voice of Albania.
Ngjarja më dramatike: Ekzekutimi nga ana e forcave të sigurisë e të Gardës i katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar.
Fraza që la pa gojë dynjanë: I përket ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu, kur tha, i befasuar për mirë nga sjellja e Berishës që anuloi tubimin e paqes që e kish lajmëruar pasi vrau katër opozitarë në bulevard, se “Berisha është burrë shteti”.
Dështaku më i madh: Edi Rama, që i humbi të gjitha betejat.
Prozeliti më i bujshëm: Arjan Çani.
Ngjarja më e çuditshme: Nderet republikane postume për pretendentin e fronit monarkik, Leka Zogu.
Personazhi absolut i vitit: Si gjithmonë, Sali Berisha.
Gazetari më i përmendur gjatë vitit: Blendi Fevziu.
Ngjarja më vulgare: Promovimi i librit të Blendi Fevziut, ku u mblodh i gjithë establishmenti politiko-kulturor-ekonomik i gjithë botës shqiptare (dhe i diasporës).
Personazhi televiziv flop: Agron Llakaj në TV Klan.
Institucioni më partizan: Televizioni publik Shqiptar.
Rrena më e pafajshme: U përket të gjithë atyre, që janë përmendur në librin Kurban, dhe të pyetur nga gazetarët, kanë deklaruar njëzëri: nuk e kemi lexuar librin.
Personazhi më protagonist në jetën televizive (përveç politikanëve, moderatorëve e speaker-ave): Artan Hoxha.
Sendërgjia e vitit: Puçi i 21 janarit, tok me puçistët Topi, Rama & Rama, Baze, Balla, Çakuli e Bushati, makinat me armë, stilolapsat-pistoletë, çadrat-pistoletë.
Fraza më absurde: I përket Fatos Lubonjës, kur tha se “ne e kemi e zgjedhur Ben Blushin deputet, ndërsa ai na bëka libra”.
Gjesti publik më qesharak: Padia e ngritur nga fëmijët e Berishës në adresë të deputetëve të opozitës, të cilët “me fyerjet e shpifjet e tyre u kanë trazuar gjendjen shpirtërore”.
Deklarata më e pabesueshme për publikun: Deklarata e pasurisë së Edi Ramës.
Urrejtja e vitit: Është ajo midis Lulzim Bashës e Jozefina Topallit.
Mburravecëria ‘akademike’ më e palezetshme: Intervista e Fatos Nanos për Top Channel-in në London School of Economics për të thënë se ‘po i bie këmbës për t’u bërë President’.
Gjesti më fashion metropolitan: thileja (sythi) në xhaketën e Fullanit, ku ai, në stil parvenu-je, nxjerr prore cepin e një shamize.
Qoka e vitit: I përket Nikollë Lesit që u fut mik publikisht te Berisha, në mënyrë që ky i fundit të bindej e të caktonte të bijën si trashëgimtare të tij në postin e kreut të PD-së.
Kulmi i luajalitetit politik: I takon Enkelejd Alibeajt, i cili, kur u pyet se cili është në botë politikani nga i cili frymëzohet, nuk u hapërda fare gjeografikisht, dhe tha gojëbrisk: Sali Berisha.
Shpërthimi i vitit (duke përjashtuar ndonjë shpërthim timin): Ishte ai i Arben Imamit, i cili, dy a tri ditë pas plojës që u bë në bulevard, iu drejtua deputetëve të opozitës: Ju jeni të gjithë Ziverë (Ziveri është nga qyqarët që gjeti vdekjen nga plumbat e regjimit).
Minimumi i reagimit politik: I përket Bamir Topit me shprehjen “unë jam mesfushor”, që ai e tha qetë-qetë pas sulmeve në adresë të tij të bëra nga Kryeministri.
Divorci i vitit: Është ai mes Top Channel-it e Adi Krastës.
Shqiptarja më e suksesshme jashtë vendit: Ermonela Jaho, sopranoja që po ecën në gjurmët e Inva Mulës.
Shqiptari më i suksesshëm jashtë vendit: Igli Tare, që ka kontribuar si Team Manager në rilindjen e skuadrës italiane të futbollit, Lazio-s.
I huaji i vitit: Francezi Joseph Daul, miku i Berishës, që tha në një forum të partive popullore se “Edi Rama është pak i çmendur”.
Këshilla e vitit: Ajo që ambasadori amerikan i dha publikisht Erion Braçes, teksa ky i fundit kish hapur thesin e akuzave për krime elektorale në adresë të mazhorancës: He should take a break (ai duhet të qetësohet pak).
Gjesti më i përunjur i vitit: Ai i Ina Ramës që u ngrit më këmbë dhe i dha dorën Sali Berishës, pasi ky i fundit e kish etiketuar faqe botës si ‘Putana e bulevardit’.
Kacafytja televizive e vitit: Ajo mes Andi Bushatit e Andi Bejtjes në TV Klan.
Ngjarja më e hareshme mediatike: Wikileaks-i.
Gallata e vitit: Është ajo e Fondacionit ‘Gani Bobi’, që me exit poll-in e vet e nxori Lul Bashën mbi 15 pikë përpara në garën me Edi Ramën.
Institucioni i vitit: Gjykata Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare e asaj greke lidhur me kufirin detar mes dy vendeve.
Sofizmi i vitit (tepër brutal): I përket Sokol Olldashit me shprehjen “dakord, dikush i vrau ata katër vetë më 21 janar, por është edhe dikush që i çoi atje për t’u vrarë”.
Reagimi më i belbët: Është ai i Ismail Kadaresë, i cili pas 21 janarit u mjaftua të thosh as më shumë, as më pak se “tani hyri vdekja në mes”.
Gazeta "Shqip"