English

Halimi: Inspektimi për dosjen “Xhuvani”, sipas Kushtetuës

Tiranë, 24 dhjetor 2011, NOA – Ka vijuar edhe sot përplasja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e dënimit të djalit të deputetes socialiste Luzia Xhuvai. Ministria e Drejtësisë me anë të një deklarate shprehet se kontrolli i dosjes është bërë në përputhje me ligjin dhe nuk ka asnjë shkelje. Ndërsa edhe një herë rithekson faktin se vendimi i dhënë për rastin “Xhuvani”, me dy vite burg për vrasje, është i papajtueshëm me politikën penale.

“Ministria informoi mbi rezultatet edhe opinionin publik, duke patur parasysh ndjesinë e madhe publike që shkaktoi ky rast i paprecedentë. Ministria e Drejtësisë, ka shprehur ditën e djeshme shqetësimin në lidhje me politikën penale të dënimit me 2 vjet burgim në rastin e marrjes se jetës së një qytetari me armë zjarri, duke u bashkuar me opinionin publik se kjo politikë penale është e papranueshme dhe bie ndesh me kërkesat e një shteti ku sundon ligji dhe drejtësia”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ana tjetër Ministria bën të ditur se vendimi i dhënë nuk mund të ndryshohet në momentin aktual, por prokurorët që kanë anikumuar çështjen duhet të përballen me ligjin. “Ministria në shkresat drejtuar institucioneve e ka bërë te qartë, se kompetencat kushtetuese të tyre, në gjendjen në të cilën ndodhet çështja, ku prokurori nuk e ka ankimuar vendimin e shkallës se parë, nuk e ndryshojnë dot fatin e politikës penale të ndjekur, por ngrinte një shqetësim publik për rastin e mësipërm duke kërkuar përballjen e prokurorëve me ligjin, si shenjë përgjegjshmërie”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ana tjetër, ministria e drejtësisë i përgjigjet dhe shqetësimit të prokurorisë në lidhje me cënimin e pavarësisë së institucioneve. “Lidhur me "hallin" e Prokurorisë së Përgjithshme për legjitimitetin e inspektimit të kryer i bëjmë me dije opinionit publik se: Inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë është kryer në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjin Nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, deklaron ministria e Drejtësisë.

Dje Prokurorja e Përgjithëshme Ina Rama, e cilësoi deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje të rëndë. “Prokuroria e Përgjithshme është e detyruar të informojë opinionin publik se deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret, presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim”, u shpreh Rama në një delaratë të institucionit që ajo drejton.

Pak javë më parë Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me 2 vjet burg Kostandin Xhuvanin, djalin e artistëve Luiza dhe Gjergji Xhuvani. I riu akuzohet për vrasjen me armë zjarri të 26-vjeçarit Alfed Musabelliu në Qytetin Studenti në Tiranë.

a.k/NOA

KOMENTE
  • aliiu21:09 - 24 Dhjetor 2011
    drejtesia shqiptare nuke funksionon dhe sa te jete korrupsioni ne fuqi nuke do te funksionoi kurre,sepse sic thote populli ligjin e ben maliqi.pse nuk marin shembull nga dreitesia italiane qe ligjin e ben ligji ..shpresoi qe nje dite shqiptaret te kene nje dreitesi te mire ,prandai i bei thirrje te gjithe shqipetarve kudo qe janei kure te votoni mendohuni mire sepse votoni te ardhmen tuai dhe te femive tuaj