Pragë, 24 Dhjetor 2011 - Republika Çeke dhe liderët botërorë i dhanë lamtumirën emotive në një funeral shtetëror ish-presidentit Vaclav Havelit, heroit të Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, që rrëzoi komunizmin.
Lamtumira zyrtare për Havelin, i cili ndërroi jetë të dielën në moshën 75-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, filloi në mesditë me një minutë heshtje të përcjellë me tingujt e sirenës dhe kambanave të kishave, raporton radio çeke, Evropa e Lirë.
Personalitete të huaja, përfshirë ish-presidentin Bill Klinton, presidenten e Kosoves, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin shqiptar Sali Berisha, iu bashkuan zyrtarëve çekë dhe figurave kryesore kulturore në funeralin në Katedralen Shën Vitus në Kështjellën e Pragës, ku u mbajt trupi i ish-liderit gjatë tri ditëve të zisë.
Folësit nderuan njeriun që udhëhoqi revolucionin paqësor, që rrëzoi regjimin komunist në kohën kur njihej si Çekosllovaki, për t’u bërë presidenti i parë i saj.
Në fjalën e tij, kryepeshkopi i Pragës, Dominik Duka, kujtoi kohën kur kishte kaluar me Havelin në burg, nën komunizmin dhe se si kishin luajtur shah së bashku.
“Të jam mirënjohës për ato kohë në burg, si dhe për lirinë time që nga ajo kohë”, tha Duka.
Vaclav Klaus, që po ashtu mbajti një fjalim, ngriti lart figurën e Havelit.
“Një president, një politikan, një intelektual, një artist u largua - një person, të cilin do ta kujtojmë me mirënjohje, nderim dhe respekt”, tha Klaus, duke vënë në pah trashëgiminë që la pas Haveli.
“Ajo që na la është ideja e tij se liria është parim universal dhe nëse i merret dikujt, kudo, atëherë edhe liria jonë kërcënohet, po ashtu. Ajo që na la, është ideja se fjala ka peshë të madhe, ajo edhe mund të vrasë edhe të shërojë, edhe të lëndojë edhe të ndihmojë, dhe se ajo mund ta ndryshojë botën”, theksoi Klaus.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila ka lindur në Çeki, mbajti një fjalim emotiv në gjuhën çeke në nderim të Havelit.
“Si një i burgosur, ai i konfrontoi rojet e burgut me të vërtetën, sepse ai e konsideronte të neveritshëm kolaboracionizmin, ndërsa shpresa për të ishte më e fuqishme se çdo mur. Si president, ai frymëzoi një jetë të re, jo vetëm në vendin e tij, po dhe në rrënjët e thella të traditës së humanizmit, që ishte përqafuar edhe nga Komensti dhe Masariku”, tha Ollbrajt, për të shtuar se kushdo që ka menduar për të si naiv, ka gabuar shumë.
Haveli, sipas zonjës Ollbrajt, ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për defektet njerëzore, por ka qenë i vendosur që të mos i pranojë ato si gjendje të përhershme.
“Ai e perceptonte ndërgjegjen si një organ njerëzor, që duhet vazhdimisht të ushqehet dhe forcohet. Ai e çmonte lirinë jo si një qëllim në vetvete, por si një mjet, ashtu që në fund të sigurohej se e vërteta do të mbizotërojë”, u shpreh Ollbrajt.
Në funeralin shtetëror të premten morën pjesë mbi 40 delegacione të jashtme, përfshirë 15 presidentë, në mesin e tyre, krerët e Francës, Gjermanisë, kryeministri i Britanisë e ish-presidenti polak, Leh Valesa.
Krahas Ollbrajtit, Shtetet e Bashkuara janë përfaqësuar nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe burri i saj, ish-presidenti Bill Klinton, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë në të shumtën e kohës, sa edhe Haveli ishte president dhe pati bërë veprimin e famshëm duke luajtur për Havelin në saksofon gjatë një vizite në Pragë.
Në mesin e shteteve evropiane që nuk dërguan delegacione janë ato të Azerbejxhanit, Bosnjës, Serbisë dhe Bjellorusisë, ku presidenti autoritar, Aleksandër Lukashenko, ka qenë shpesh në shënjestër të kritikave të Havelit.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte po ashtu në mesin e delegacioneve të huaja që mori pjesë në varrimin e ish-presidentit çek, i cili në Kosovë njihet si një mik të madh dhe njeri i paqes e stabilitetit.
Rusia, që u shqua me heshtjen rreth vdekjes së Havelit - në kohën kur respekti derdhej nga tërë bota - u përfaqësua nga ombudspersoni, Vlladimir Lukin, i cili mori pjesë me vetiniciativë.
Në mesin e të pranishmëve kishte figura nga jeta kulturore çeke, duke përfshirë edhe këngëtarin Karel Got, i cili foli për Radion Evropa e Lirë sapo arriti.
"Unë kam ardhur për t’i dhënë lamtumirën një personaliteti që fitoi famë botërore, si disa çekë të tjerë”, tha Got, duke shtuar se në mesin e cilësive të Havelit ishte një dhunti për "të bërë parashikime, edhe pse ato nuk ishin gjithmonë pozitive apo ajo që njerëzit donin të dëgjonin".
Jashtë, në sheshin e kështjellës, qëndronin qytetarët e zakonshëm për të parë ceremoninë e varrimit në ekranet gjigante.
Jaroslav Suqi, një rom çek, i tha Radios Evropa e Lirë arsyen pse ai kishte ardhur për të treguar respektin e tij.
"Unë ndihem tmerrësisht keq që ai ka vdekur, kjo është një tragjedi e madhe për mua dhe për të gjithë kombin çek. Ai ishte një luftëtar i të drejtave të njeriut, ai gjithashtu ka shtyrë përpara të drejtat e romëve, duke na mbështetur neve si një minoritet rom në Republikën Çeke, gjë për të cilën unë i jam shumë mirënjohës dhe ndjej respekt të thellë për të. Unë kurrë nuk do ta harroj atë, deri në ditën kur të vdes, kudo që jam, në Shtetet e Bashkuara, Kanada apo kudo tjetër, unë gjithmonë do ta kujtoj atë”, tha Suqi.
Veronika nga qyteti çek, Sumperk, tha se Haveli kishte domethënie të madhe për të dhe se shpresonte që trashëgimia e tij të mos ketë vdekur bashkë me të.
"Unë shpresoj se udhëheqësit tanë dhe ata njerëz që mund të ndikojnë në pjesën tjetër prej nesh do të kujtojnë trashëgiminë e tij dhe se ai do të mbetet me ne dhe se ndonjëherë ne do të paraqitemi sadopak ashtu si ai besonte dhe të kuptojmë atë që ai donte të kalojë te ne", tha Veronika.
Jakubi, nga malet verilindore Orlin të Republikës Çeke, tha se në saje të Havelit dhe revolucionit të tij, ai kishte pasur mundësinë të jetonte një jetë krejtësisht të ndryshme, dhe më të lirë se sa prindërit e tij.
"Ai ishte unik, unë mendoj se nuk ka më asnjë njeri si ai në Republikën tonë dhe se nuk do të mund të shohim sërish një si ai”, u shpreh ai.
Pas një ceremonie private për familjen dhe miqtë në krematoriumin e Pragës, hiri i Havelit pritet të vendoset në varrezat familjare pas Kërshëndellave.
Ceremonitë e së premtes përmbyllin një periudhë zie treditore për Havelin, gjatë së cilës mijëra njerëz treguan respektin e tyre duke parakaluar pranë arkivolit të tij, duke nënshkruar në librat e ngushëllimeve, duke ndezur qirinj dhe duke vendosur lule në Kështjellën e Pragës dhe nëpër pika të tjera të rëndësishme.
Vaclav Havel, një dramaturg i kthyer në disident politik, u bë presidenti i parë i Çekosllovakisë post-komuniste, pas revolucionit të vitit 1989, që u udhëhoq nga vetë ai.
Ai u bë presidenti i parë çek pas ndarjes së Çekisë dhe Sllovakisë në 1993 dhe e la kabinetin presidencial në vitin 2003.
Havel, shëndeti i të cilit ishte dëmtuar nga qëndrimi në burg nën komunizëm, kishte pasur një operacion për kancer të mushkërive në vitin 1996, dhe për disa vite ka marrë trajtime për sëmundje të frymëmarrjes.
Ai njihet edhe për sensin e tij të humorit - ai pati vendosur një zemër të madhe të kuqe në krye të Kështjellës, pati ngarë në korridoret e saj një skuter(motoçikletë)- dhe njihet për dashurinë për muzikën rok dhe teatrin avangard.
Pra, ngjarjet e ditës së premte do të kenë një fund të përshtatshëm - një mbrëmje kulturore me muzikë rok, shfaqje dhe filma në vendin e quajtur Llucerna në Pragë.