Tiranë, 24 dhjetor 2011, NOA – Pas kthimit nga Praga ku mori pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish-presidentit çek Vaclav Havel, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga ndaloi në Tiranë, ku u prit pasdite nga Kryeministri Sali Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeministri Berisha e shfrytëzoi këtë takim për t’i përcjellë Presidentes Jahjaga, të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.
Edhe zonja Jahjaga i përcolli kryeministrit Berisha dhe popullit shqiptar urimet më të mira për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2012.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë, gjatë të cilit vendet do të çojnë përpara e do të progresojnë në projektet madhore për zhvillim dhe integrim evropian.
Në këtë takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal në mënyrë, që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit.
Duke u ndalur në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, kryeministri Berisha dhe presidentja Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te Pavarësia e Kosovës.
Sipas dy krerëve duhet të nderohet përpjekja dhe sakrifica e kombit që bëri të mundur që sot shqiptarët të jenë më të lirë se kurrë dhe të ecin të vendosur drejt vizionit të tyre të ri, atij evropian.
mit/NOA