Elbasan, 24 dhjetor 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka reaguar sot nga qyteti i Elbasanit për përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga Partia Socialiste dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit.
Në një prononcim dhënë për mediat, pas ceremonisë festive të forumit të LSI-së për festat e fundvitit, Meta ka deklaruar se përjashtimi i deputetit Islami është një veprim i paprecedentë. Ai ka theksuar se PS-ja po kthehet në të kaluarën.
“Përjashtimi i Islamit është një fenomen i paprecedent. LSI dënon të gjitha lëvizjet e fundit në PS. Ky qëndrim i kësaj partie nuk i shkonte për shtat një figure me kaq kontribute dhe eksperiencë si Islamit. PS me këtë vendim po tregon një kthim në të kaluarën”, tha Meta.
I pyetur për në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Meta ka theksuar se LSI-ja nuk është pjesë e spekulimeve, por e zgjidhjes së problemeve.
“Komenti im lidhur me këtë çështje do të jetë në momentin e duhur. LSI nuk preferon të jetë pjesë e spekulimeve për Presidentin, ne jemi pjesë e zgjedhjes”, tha Meta.
a.k/NOA