English

Mijëra rusë në shesh kundër kryeministrit. Gorbaçov: Putin të dorëhiqet

Moskë, 24 dhjetor 2011, NOA – Mëse 50 mijë rusë kanë zbritur në sheshin Sakharov të Moskës duke protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve nga ana e kryeministrit rus Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar se do rishtas karrigen e Presidentit, të cilën e ka mbajtur më parë për dy mandate rresht, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas demonstratës masive popullore ka reaguar edhe ish-Presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov, i cili i bëri thirrje burrit të fortë të Rusisë të lërë pushtetin përballë kundërshtimit popullor të paprecedent ndaj regjimit të tij.

“Unë i këshilloj Vladimir Vladimiroviç Putin të lërë menjëherë pushtetin”, deklaroi babai i Perestrojkës për radion Echo të Moskës.

Gorbaçov tha se Putin ka drejtuar deri më tani tre mandate, dy mandate si president dhe një si kryeministër, duke preçizuar se tre mandate mjaftojnë.

I pyetur nëse mund të ndodhë që Putin të dorëhiqet, nobelisti i paqes, Mikhail Grobaçov, tha se dorëheqja e tij nuk përbën asgjë dramatike.

Aktualisht kryeministri rus, Vladimir Putin është kandidat në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit 2012.

Për ironi të kësaj, Presidenti i fundit sovjetik Mikhaïl Gorbatçov dha dorëheqjen 20 vjet më parë, në 25 dhjetor të vitit 1991, me një deklaratë që i dha fund agonisë së regjimit sovjetik.

Mikhaïl Gorbatçov mbështeti organizatorët e demonstratës së madhe popullore që sipas opozitës mblodhi të shtunën në sheshin e Moskës, 120.000 persona.

Demonstratat kundër Putin nisën pas akuzave të opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të fundit legjistlative, mosmbajtjen e premtimeve, dhe uzurpimin e shtetit nga ana e Putin, i cili me zgjedhjet e tanishme ka shumicën në parlamentin rus.

I pranishëm në demonstratën popullore ishte edhe Mikhail Prokhorov kandidati për president i Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 4 marsit, i cili u premtoi demonstruesve se do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në rast se ai zgjidhet si shefi i Kremlinit.

Në sheshin e protestës ka mbërritur edhe ish-ministri i Financave në qeverinë Putin, Aleksei Kudrin, i cili mes fërshëllimave dhe thirrjeve “Të kesh turp”, të protestuesve, i ftoi ata të hiqnin dorë nga parrullat dhe të dialogonin me qeverinë në mënyrë që vendi të mos kalonte në një revolucion.

Protestës i janë bashkuar edhe ish-kampioni i botës në shah Garry Kasparov, i cili tha se kjo demonstratë inspiron pranverën politike, dhe rikthimin e dinjitetit në sheshin e Kremlinit, ku duhet të valëviten të gjithë flamujt, përveç atij gri të partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit.

mit/NOA

KOMENTE