Jo më larg se dje, Papa Benedikti XVI shkëmbeu urimet e Krishtlindjes me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me kardinajt e Kuries Romake. Në fjalën që u drejtoi, Ati i Shenjtë u kërkoi ta presin me besim festën e lindjes së Krishtit, pavarësisht nga periudha e krizës. Mori si shembull entuziazmin dhe gëzimin e të rinjve në Ditët Botërore të Rinisë, për të përcaktuar pesë mënyra të përjetimit të fesë së krishterë. Pikërisht në to e përqendron komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi
Nga Federiko Lombardi
“Edhe këtë vit, në fjalimin mbajtur para bashkëpunëtorëve të Kuries Romake, në prag të Krishtlindjes, Papa arriti të na thotë diçka të bukur, të madhe dhe inkurajuese. E bëri këtë, duke pasur parasysh këtë kohë krize, që ai e konsideron – me plot të drejtë – jo vetëm ekonomike, por edhe më të thellë, morale, kulturore e shpirtërore. E bëri, duke reflektuar mbi një nga ngjarjet, që i ka lënë më shumë përshtypje gjatë këtij viti: Dita Botërore e Rinisë në Madrid. Papa Benedikti XVI gjen aty “një mënyrë të re, të rinuar, për të qenë të krishterë” e na e përvijon në pesë hapa, pesë këshilla për të kuptuar ç’duhet të shpallim e si, në një botë, që duket “e lodhur”, “e bezdisur” nga krishterimi. Pikësëpari, “një përvojë e re e katolicitetit dhe universalitetit të Kishës”: fakti që jemi të gjithë vëllezër e motra nuk është vetëm ide, por eksperiencë. Pastaj, “të jetojmë për të tjerët është bukur”: koha dhe jeta marrin kuptim kur dhurohen, jo kur i mbajmë për vete. E më pas, adhurimi, akti i fesë para Krishtit të gjallë, të pranishëm në Eukaristi: Zoti është vërtet i pranishëm ndër ne, për ne e me ne. E më tej, falja e Zotit për secilin prej nesh në Sakramentin e Pendimit, për t’iu kundërvënë vazhdimisht egoizmit, për të lehtësuar peshën, që kemi në zemër e për t’ia hapur atë dashurisë. Së fundi, siguria se Zoti na do, na pranon, na mirëpret…. Bashkimi, dhurimi, besimi, pendesa, dashuria. Përshkimi i këtyre pesë hapave bën që jeta t’ia hapë dyert gëzimit. Nëse jo, dyshimi ‘a është mirë apo jo, që jetojmë e ekzistojmë’, nuk gjen përgjigje e bëhet i pakapërcyeshëm, jeta mbahet peng nga trishtimi. “Nga dyshimi për Zotin rrjedh pashmangshëm dyshimi mbi të qenit njeri” – thotë Papa. Por Hyji është bërë njeri pikërisht për të na ndihmuar t’i kapërcejmë këto dy dyshime. Pra: “Është mirë të ekzistojmë si njerëz, të jetojmë, edhe në kohë të vështira”. Gëzuar Krishtlindjen!”
*Editoriali i atë Federiko Lombardit mbi fjalimin e Papës para Kuries Romake