English

Policia e Shtetit bën gati planin e masave për festat e fundvitit

Tiranë, 24 dhjetor 2011, NOA – Në kuadër të festave të fundvitit, kur lëvizjet e qytetarëve shtohen shumë edhe për shkak të ardhjes së emigrantëve shqiptarë në atdhe për festa, Policia e Shtetit ka hartuar Planin e Masave që do të garantojnë rritjen e sigurisë publike gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Policia e Shtetit deklaron se plani i masave ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin normal të aktiviteteve festive, parandalimin e ngjarjeve, menaxhimin në mënyrë sa më cilësore të fluksit të madh të emigrantëve që vijnë në Shqipëri për të festuar dhe të qytetarëve shqiptarë që do të dalin nga Shqipëria për të festuar jashtë vendit, si dhe rritjen e sigurisë në rrugë dhe ambiente publike.

Plani i masave adreson detyra konkrete për strukturat qendrore dhe vendore të policisë, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët.

Në kuadër të masave, Policia e Shtetit është angazhuar për lehtësimin e procedurave në kufi, parashikohen shërbime shtesë policore për menaxhimin e fluksit të lëvizjes në Pikat Kufitare, janë rritur shërbimet e Policisë Rrugore në segmentet që lidhin vendin me kufirin, në linjat ndërqytetëse dhe ato të trafikut në qendrat urbane kryesore, që synojnë parandalimin e aksidenteve rrugore, disiplinimin e mbajtjen nën kontroll të trafikut rrugor dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast aksidentesh.

Jashtë vëmendjes së Policisë së shtetit nuk do të mbeten aktivitetet e festimeve gjatë fundvitit dhe masat për parandalimin e përdorimit të fishekzjarreve të rrezikshme në netët e festave, të cilat do të bllokohen edhe në dogana, kur në netët e fundvitit strukturat e Policisë së Shtetit do të kalojnë në shërbim të përforcuar.

Gjithashtu gjatë festave do të mbahen nën kontroll elementët me preçedentë kriminal, për parandalimin e ngjarjeve apo akteve të rrugaçërisë, kapjen e personave në kërkim, etj.

Policia e Shtetit u bën me dije qytetarëve se për të kërkuar ndihmën e policisë mund të telefonojnë nga çdo vend i Shqipërisë në numrin e telefonit pa pagesë 129.

mit/NOA

KOMENTE