Tiranë, 24 dhjetor 2011, NOA – Një punonjës i policisë rrugore është vënë në shënjestër mbrëmjen e sotme nga një person ende i paidentifikuar, i cili ia ka drejtuar armën duke e qëlluar me plumb në kokë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Burime nga policia e Tiranës i thanë agjencisë NOA se polici Naim Hyska ishte duke shkuar në shtënë e tij, kur një person duket se i ka zënë pritë duke e qëlluar nga një distancë e afërt.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë kryqëzimit të “21 dhjetorit” në kryeqytet.
Policia e Tiranës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje pas lajmërimit nga banorët e zonës, që u ndodhën në vendin e ngjarjes gjatë momentit të plagosjes së policit.
Polici Naim Hyska është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, dhe është në gjendje kritike për jetën.
Sipas policisë pista kryesore e hetimit është ajo e plagosjes për shkak të detyrës.
Megjithatë Policia e Tiranës po heton për ngjarjen e cila ndodhi mbrëmjen e të shtunës pranë “21 Dhjetorit”, dhe po merren në pyetje dëshmitarë të ndryshëm, që mund të kenë parë autorin apo autorët e agresionit. Vijon...
mit/NOA