English

S&P dhe Moody’s: Ekonomia shqiptare stabël, borxhi ende i lartë

Nju Jork, 24 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit për vendet e Evropës Juglindore bëri me dije se Shqipëria është një nga gjashtë vendet e rajonit që po preket nga kriza e borxheve, duke preçizuar se ka shfaqur pamundësi për të financuar borxhin e jashtëm, defiçitin buxhetor dhe atë tregtar, dy agjencitë e vlerësimit të ekonomive, Moody’s dhe “Standard & Poor’s” e kanë vlerësuar Shqipërinë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar sa i përket aftësisë kredituese të ekonomisë vendase, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sipas agjencive të njohura Shqipëria është vlerësuar rishtas në nivelin B1 dhe B+. Agjencitë Moody-s dhe “Standard & Poor’s” e vlerësojnë ekonominë shqiptare të qendrueshme në planin afatmesëm.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, agjencitë raportojnë se Shqipëria ka shfaqur një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4%.

Sipas agjencive sektori bankar në vend si likuid është i qendrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave.

Agjencitë thonë se qeveria shqiptare po punon me seriozitet për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik, duke shprehur gjithashtu vlerësimin pozitiv për reformat ekonomike.

Vlerësimi vjen në një moment kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo me përkeqësim të këndvështrimit të parashikimeve afatmesme të tyre nga “stabël” në “negative”.

Ky vlerësim bie ndesh me raportin e fundit të FMN-së që vlerësonte se rënia e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë shenjat e para të krizës globale mbi vendet e ballkanit perëndimor.

Raporti i FMN: Shqipëria po preket nga kriza, borxhi në rrezik

Rënia e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria, janë shenjat e para të krizës globale mbi vendet e ballkanit perëndimor. Kështu thekson në raportin e tij më të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

FMN thotë se vende si Shqipëria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shfaqur së fundmi pamundësi për të financuar borxhin e jashtëm, defiçitin buxhetor dhe atë tregtar, një tregues ky i pasojave të krizës financiare globale.

Në raport theksohet gjithashtu se varësia e ekonomive të këtyre vendeve nga kapitali i huaj ka bërë që efektet e krizës globale të japin ndikimin në shumë sektorë, duke prekur në mënyrë direkte financimin nga qeveria të projekteve, që kanë të bëjnë me shpenzimet publike.

Një tjetër tregues i panikut, që ka mbërthyer këto vende, sipas FMN-së, është edhe fenomeni në rritje i tërheqjes nga bankat e nivelit të dytë të dopozitave në valutë të huaj. Ndonëse Shqipëria përmendet si një nga vendet me tregues pozitiv të rritjes ekonomike, që prej vitit 2009, parashikimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare muajt e ardhshëm janë të zymta.

Kjo për shkak të situatës në vendet e eurozonës.

Raporti thotë se “gjashtë vendet e sipërpërmendura do të shënojnë ulje mëtejshme të eksporteve, ndërkohë që shton se, presioni për të mbajtur në nivelin e kërkuar borxhin publik do të frenojë edhe më shumë ritmet e rritjes ekonomike”. Fondi Monetar Ndërkombëtar e cilëson Shqipërinë si një vend të besueshëm për investitorët e huaj, por thekson se në vitin 2007, Shqipëria regjistroi nivele shumë të larta të defiçitit tregtar dhe borxhit publik.

Raporti thotë se shumë shpejt edhe Shqipëria e Kroacia mund të ndjekin shembullin e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovines, duke marrë masa drastike për shkurtimin e shpenzimeve dhe shtim të taksave.

mit/NOA

KOMENTE