Nairobi, 25 dhjetor 2011, NOA – Pas tre shpërthimeve në tri kisha katolike në Nigeri gjatë meshës së Krishtlindjes ku mbetën të vdekur mbi 30 besimtarë, një alarm për bombë ka provokuar një panik të vërtetë mëngjesin e sotëm edhe në bazilikën “Holy Spirit” më kryeqytetin Nairobi të Kenias, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në momentin e alarmit besimtarët e krishterë po ndiqnin meshën në ditën e shenjtë të lindjes së Jezu Krishtit.
Mediat lokale bëjnë me dije se policia keniane ka urdhëruar qindra besimtarët që ishin tubuar në kishë të dilnin nga ndërtesa pasi kishin marrë sinjale për vendosjen e një bombe në mjediset e kishës.
Sipas policisë, personi i dyshuar për vendosjen e bombës ishte mes besimtarëve.
Shefi i policisë së Nairobit, Anthony Kibuchi, u bëri thirrje besimtarëve se duhej të evakuoheshin nga bazilika katolike për të shmangur rrezikun e shpërthimit të mundshëm.
Kremtimi i Krishtlindjes në bazilikën e Nairobit vijoi qetësisht pas kontrollit të tërë kishës, ku nuk rezultoi asnjë bombë.
mit/NOA