Tiranë, 25 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha, në përfundim të vizitës së tij në Kishën Ortodokse uroi gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kreu i qeverisë u shpreh se, “Urimet më të përzemërta për besimtarët ortodoks shqiptarë, besimtarët e krishterë dhe gjithë besimtarët e Zotit, që nderojnë këtë ditë aktin më madh të shoqërisë njerëzore, lindja nderojnë jo vetëm lindjen... por lindjen e një burri i cili do të flijohej për të ndryshuar mendjen e njeriut dhe njerëzimit. Uroj që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë dhe më afër ëndrrave tona”.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, të pranishëm për të uruar Kryepeshkopin Anastas Janullatos ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë si dhe një sërë personalitetesh të tjerë.
Më tej vizita e tyre ashtu si dhe e krerëve të shtetit u drejtua drejt Kishës Katolike, për të uruar kreun e saj Imzot Rrok Mirdita.
a.y/NOA