" Ato përbëjnë një burim të pasur të dhënash për analiza të thella mbi dukuritë demografike që shpien në formulimin dhe vlerësimin e politikave të ndryshme për vendimmarrjen në sektorë të ndryshëm. Informacioni që merret nga statistikat e censusit nuk mundësohet nga burim tjetër"...
Nga Ermelinda Meksi
Gjatë këtij viti është folur shumë për regjistrimin e popullsisë dhe banesave që për lehtësi, edhe unë, po e quaj census. Por mënyra zhurmuese që shoqëroi debatin për çështjen e regjistrimit etnik e fetar, krijoi sensibilitet të natyrshëm kombëtar që shmangu vëmendjen nga thelbi i tij si një proces që organizohet një herë në dhjetë vjet, me rëndësi dhe impakt të madh në vendimmarrjet për zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Censuset janë të vjetër aq sa civilizimet. Të dhënat historike tregojnë se ato janë mbajtur mijëra vjet më parë në Babiloninë e lashtë, Egjipt, Kinë, Palestinë, Greqi, apo Romë. Kurse në Europë, censusi i parë u bë në fillim të 1700. Ndërsa në Shqipëri të dhënat e para që gjejmë mbi popullsinë e regjistruar i takojnë vitit 1923.
Procesi i regjistrimit do të thotë të lesh një mesazh në gjeneratat e ardhme, duke u treguar atyre si jetonin të parët e tyre. Nëpërmjet regjistrimit të popullsisë dhe banesave synohet një llogaritje e saktë e popullsisë së një vendi, në një datë të caktuar, për të përcaktuar gjendjen numerike dhe shpërndarjen territoriale të popullsisë sipas karakteristikave gjini, moshë, gjendja civile, profesioni etj.
Regjistrimi i popullsisë dhe banesave është shtylla kurrizore e statistikave sociale kombëtare dhe lokale. Ato përbëjnë një burim të pasur të dhënash për analiza të thella mbi dukuritë demografike që shpien në formulimin dhe vlerësimin e politikave të ndryshme për vendimmarrjen në sektorë të ndryshëm. Informacioni që merret nga statistikat e censusit nuk mundësohet nga burim tjetër.
Për shembull informacioni për nivelin dhe llojin e arsimit, aktivitetit ekonomik, pjesëmarrjen në punë dhe shkollë të popullsisë, ose informacioni mbi cilësinë e banesave etj. Një nga qëllimet e censusit është edhe bërja e prognozave të sakta për popullsinë sipas grupmoshave me synim zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë. Viti 2011, vit i organizimit të censusit, edhe në vendet e BE-së Censusi është në fokusin e politikave të BE-së. Kjo është një arsye më shumë që BE, nëpërmjet fondeve të IPA, financoi koston e madhe disa milionë euro të realizimit të tij në Shqipëri, sepse procesi i regjistrimit është i kushtueshëm dhe kërkon veçanërisht përgatitje të madhe administrative nga institutet e statistikave.
Këtë vit, censusi nuk u bë vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e BE-së, duke përdorur definicione të krahasueshme. Ai është pjesë e programit ndërkombëtar të koordinuar nga OKB.
Qëllimi i tij është të ndihmojë në krijimin e të dhënave të krahasueshme rreth popullsisë së BE-së, mbi demografinë, arsimin, kulturën, strukturën ekonomike dhe sociale, standardin e strehimit, etj. Këto të dhëna janë të nevojshme për të koordinuar veprimin e vendeve anëtare në politikat ekonomike dhe sociale, për vendimmarrje në adresimin e çështjeve të përbashkëta.
Për shembull, politikat e kohezionit rajonal të BE mbulojnë çështje të mëdha dhe kërkojnë të dhëna të detajuara për të vlerësuar progresin rajonal në funksion të të cilit do adresohen fondet strukturore të BE-së. Për më tepër që shumë zhvillime të rëndësishme politike kanë në vëmendje fenomene si plakja e popullsisë dhe zhvillimet ekonomike që lidhen me të apo punësimin dhe politikat e pensioneve. Një vështrim mbi disa rezultate paraprake të censusit Me të dhënat paraprake të censusit u njoha nga botimi i tyre në media pas deklarimeve të INSTAT-it. Për fat të keq, në websit-in e INSTAT-it ende nuk janë botuar këto të dhëna me interes publik.
Personalisht e prisja rënien dramatike të popullsisë siç rezulton nga të dhënat paraprake. Numri i popullsisë prej 2 831 741 vetësh që rezulton nga censusi reflekton rënie të popullsisë kundrejt regjistrimit të vitit 2001 prej 7,7%, ose 11,1% kundrejt atij të vitit 1989. Për të lexuar më mirë këtë dukuri, krahasova tendencën e ndryshimit të popullsisë në dy periudha rreth 20-vjeçare, atë të viteve 1969-1989 dhe 1989-2011. Rezulton se, ndërsa në periudhën 1969-1989 ka pasur rritje popullsie prej 1 114 262 vetash ose rreth 15%, në periudhën tjetër 1989-2011 rezulton një rënie e popullsisë prej -350 676 vetash ose -11,1%. Rënia është intensifikuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Kjo përbën një rënie drastike dhe krejtësisht e paparashikuar nga projeksionet e popullsisë të bëra nga INSTAT.
Kjo dukuri që shfaqin të dhënat, në thelb shpreh modelin që ka karakterizuar zhvillimin ekonomik-social në këto 20 vjetët e fundit, model ky i mbështetur në emigracionin spontan dhe tejet masiv për arsye që mbizotërohet nga nevoja për mbijetesë. Ndërkohë ky model emigracioni ka qenë edhe burimi kryesor i të ardhurave, që ka karakterizuar zhvillimin tonë të deritanishëm.
Të dhënat e paparashikuara të këtij censusi, në fakt përbëjnë një çështje thelbësore nga më të rëndësishmet ekonomike dhe sociale, e cila kërkon reflektim shumë serioz.
Në këtë rrafsh po ndalem në një aspekt, sipas projeksionit të popullsisë së Shqipërisë për 2010-n, botim i INSTAT-it në nëntor 1996 sipas disa varianteve, popullsia duhej të rezultonte në 2010-n midis shifrave 3,6-3,9 milionë banorë. Në fakt duke krahasuar të dhënat e projeksioneve me ato paraprake të regjistrimit rezultojnë diferenca jashtëzakonisht të mëdha që kërkojnë reflektim, së pari, mbi vlerësimin e cilësisë së projeksioneve të mëparshme të popullsisë. Diferenca e madhe midis popullsisë faktike 2,8 milionë që rezultoi nga censusi, me atë të projektuar prej 3,6 milionësh (sipas variantit më të ulët të saj), flet për një shkallë shumë të lartë gabimi në parashikim. Një gabim i këtyre përmasave vë në pikëpyetje ekzistencën e shkencës demografi–statistikë në Shqipëri, si dhe ata që operojnë me të, me gjithë numrin e lartë të specialistëve me tituj në shkencat ekonomike. Ndërkaq nuk mund të ketë shkencë ekonomike dhe sociale pa demografi e statistikë! Mjafton të mendojmë për pasojat që do të sjellin këto fenomene demografike në politikat, si dhe urgjencën që do reflektojë në fushën e pensioneve dhe sigurimet shoqërore. Sido që të arsyetosh, kjo është një kambanë alarmi. Prandaj të dhënat e mësipërme kërkojnë reflektim serioz. Ato nuk kanë të bëjnë më me politikat e tejkaluara pronataliste të regjimit të kaluar, me motivin: “Të bëjmë sa më shumë djem që të mbrojmë atdheun”. Por duhet të sensibilizojnë drejt përgjigjes së saktë dhe profesionale se përse shqiptarët largohen në këto përmasa dramatike? Përse Shqipëria po i flak bijtë e vet si stergu? Megjithatë, stergu flak ata që janë të dobët dhe të paaftë të fluturojnë, ndërsa në rrafshin social është shumë e dhimbshme dhe e pafalshme politika e stergut. Prandaj në vend të spekulimeve anësore lidhur me rezultatet paraprake të censusit, mendoj se shifrat e fundit të censusit bëjnë apel që: T’i jepet fund Modelit të Stergut. Nevoja për analiza mbi zhvillimet demografike Nga interesimi pranë INSTAT-it, si institucioni përgjegjës, për shkallën e gabimit që metodologjia e ndjekur për censusin parashikon, rezulton se ky gabim është shumë i vogël, rreth 1%, dhe brenda parametrave (që e pranojnë gabimin deri në 3%). Prandaj vëmendja duhet të fokusohet te nevoja për analiza të thella dhe shkencore të faktorëve demografikë, ekonomikë dhe socialë, që të shpjegojnë këtë dukuri dhe pasojat e saj në vitet e ardhshme.
Në fakt të dhënat e plota dalin pas shtatorit të vitit tjetër, që do na ndihmojnë për një reflektim më të plotë. Por pas njohjes me të dhënat fillestare mbi shifrat e regjistrimit të popullsisë dhe uljes së ndjeshme të numrit të saj, përtej spekulimit mbi “rritjen e GDP/frymë”, që rezulton pas këtyre shifrave, më ngacmoi fakti se numri i meshkujve del në total më i madh se ai i femrave. Ligjësitë demografike të vendeve të zhvilluara flasin për një numër më të madh të popullsisë femërore kundrejt asaj mashkullore, të cilën Shqipëria e arriti 10 vjet më parë. Të dhënat e regjistrimit të fundit na çojnë në situatën e para viteve ‘90. Kujtoj se për arsye të pashpjeguara akoma nga demografët lindin më shumë meshkuj, por vdekshmëria e meshkujve është më e lartë se ajo femërore. Kjo sjell në një shoqëri që totali i femrave të jetë më i lartë se i meshkujve. Një përgjigje e shpejtë dhe pa analizë faktorësh të çon në konkluzionin se kujdesi i shoqërisë për femrat është përkeqësuar kundrejt 10 viteve më parë deri edhe për ndërhyrje në shtatzëni kur fëmija nuk qe mashkull, shqetësim ky i ngritur nga disa mjekë gjinekologë. Sidoqoftë e kam të vështirë të përtyp hipotezën se largimi i femrave për studime apo punësim jashtë vendit janë arsyet që e përmbysin këtë ligjësi demografike kur po kaq janë larguar edhe meshkuj. Për të mos spekuluar më tej, uroj që analizat e studiuesve, pas botimit të të dhënave përfundimtare, të japin përgjigje se për çfarë niveli zhvillimi të shoqërisë shqiptare flasin të dhënat demografike të regjistrimit të fundit të popullsisë? Dhe pas kësaj, cilat do të jenë vendimmarrjet që sugjerohen. Impakti i censusit në vendimmarrje Të dhënat e censusit janë të nevojshme dhe lehtësojnë vendimmarrjen për administratën publike në qeverisjen qendrore, lokale, si dhe sektorin privat. Statistikat e censusit lehtësojnë biznesin për vendimmarrjen se: ku dhe në cilin sektor të biznesit të drejtohen. Po ashtu ligji mbi financimin e fondeve grant nga pushteti lokal ka në themel popullsinë lokale. Të dhënat e censusit sigurisht vlejnë për kategorizimin e komunave sipas madhësive, si dhe në procesin e zgjedhjeve lokale për numrin e këshilltarëve apo ato parlamentare për numrin e deputetëve në qarqe etj. Një element e rëndësishëm i të dhënave të censusit është përdorimi i tyre për ndërtimin e Tabelave të Vdekshmërisë që shërbejnë si mjet për prognozat e popullsisë, por edhe për llogaritjen e primeve për sigurinë e jetës etj. Mbi deklaratat zyrtare mbi censusin Pa një analizë të thellë dhe shkencore të faktorëve demografikë, ekonomikë dhe socialë, ku të përfshihen kapacitetet më të mira të vendit nuk mund të shpjegohen lehtë këto dukuri dhe pasojat në vitet e ardhme. Ndërkaq, nisur nga projeksionet e veta, edhe INSTAT-i mendoj se nuk ka qenë i përgatitur për këtë pakësim të popullsisë që rezulton nga censusi. Çdo përgjigje e nxituar prej kujtdo në këto kushte, është hipotetike dhe shkak për spekulime.
"Shqip"