Korçë, 25 Dhjetor 2011 NOA/Rid Bulku – Janë Krishtlindje dhe që të kalosh sa më bukur këtë rast festiv, mund të zgjedhësh qytete piktoreske, si Korça fjala vjen. E kështu ka vendosur të zgjedhë edhe kryetari socialist, Edi Rama.
Së bashku me gruan e tij Linda, vajzën e saj Rean dhe djalin e tij Gregorin, ata kanë mbërritur pasditen e së shtunës në qytetin e Korçës.
Një qytet që këto ditë nuk është zbukuruar vetëm nga bashkia, por edhe nga dëbora që ka hedhur petkun e bardhë kudo, sikundër shihni edhe në foton e tretë.
Pak ftohtë, por erë “brisk” nuk ka ndaj megjithëse temperaturat janë disa gradë nën zero këtë natë Krishtlindjesh e nuk pritet të shkojnë më shumë se pak gradë mbi zero gjatë ditës së diel.
Mbrëmja në prag të Krishtlindjes i ka gjetur familjen e Edi Ramës në një nga lokalet e qytetit juglindor, një lokal i ri i hapur rishtas atje.
Më pas, orët kushtuar kishës ortodokse kanë qenë destinacioni i paraparë i familjes së kryesocialistit, i shoqëruar jo vetëm nga Linda, Rea dhe Gregu por edhe nga kryetari i bashkisë së Korçës e disa miq të tjerë të afërt me opozitën.
Duke ngritur dolli për këtë festim z.Rama ka drejtuar urimin më të sinqertë: “Këtu në Korçën e zbukuruar nga dëbora dhe bashkia e qytetit, me Lindën, Rean dhe Gregun për Krishtlindjet urojmë, qofshin të gëzuara për të gjithë kudo janë”.
r.b/NOA