Lezhë, 25 dhjetor 2011, NOA – Pas festimit të Krishtlindjes në qytetin e Korçës bashkë me bashkëshorten Linda dhe dy fëmijët, Gregor dhe Rea, lideri i opozitës Edi Rama udhëtoi drejt qytetit të Lezhës ku ka vizituar në ditën e shenjtë të lindjes së Krishtit, familjen e Aleks Nikës, njërit prej demonstruesve të vrarë në demonstratën e opozitës në 21 janar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryetari i opozitës e ka komentuar këtë vizitë në faqen e tij personale në rrjetin social Twitter ku rrëfen se familja e Aleks Nikës pret që shteti të vërë në vend drejtësinë e munguar, ndërsa e bija e tij pret për çdo ditë kthimin e pamundur në shtëpi të të atit të saj.
“Për Krishtlindjet në shtëpinë e Aleks Nikës, ku të rriturit presin drejtësi për vrasjen, ndërsa Amelia 4 vjeçe pyet përditë, a do të vijë babi sot?”, komenton Edi Rama në Twitter.
Të shtunën, në vigjilje të Krishtlindjes, shefi i selisë rozë vizitoi familjen e Hekuran Dedës, nga Dibra e Peshkopisë, i cili ishte një nga katër viktimat e demonstratës së 21 janarit, i vrarë pranë ndërtesës së kryeministrisë bashkë me Ziver Veizin nga Gjirokastra, Faik Myrtaj nga Fieri dhe Aleks Nikën nga Lezha.
mit/NOA
Në foto: Pamje nga demonstrata paqësore dhe homazhet kushtuar viktimave të 21 janarit