Tiranë, 25 dhjetor 2011, NOA Update – Ashtu siç i ka hije shqiptarëve bashkëjetues mes tre besimeve fetare, festa e shenjtë e Krishtlindjes i ka mbledhur besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë nëpër katedralet dhe kishat e mbarë vendit ku të gjithë janë lutur për më shumë begati, dashuri e mirësi në ditën e lindjes së Jezu Krishtit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Besimtarëve të krishterë u janë bashkuar edhe krerët e politikës, të cilët i kanë uruar të gjithë shqiptarët për një vit të mbushur me mirësi dhe suksese.
Pak minuta distancë në protokollet zyrtare të takimeve për festën e Krishtlindjes ka bërë që Kreu i Shtetit Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha të mos takoheshin në selitë përkatëse të katolikëve dhe ortodoksëve në kryeqytet, për t’i lënë vendin vetëm urimeve festive, si një reflektim mbi të ardhmen e shqiptarëve.
Nga selia e Arqipeshkvisë Metropolitane të Tiranës dhe Durrësit, në selinë e Kryepeshkopatës së Hirshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e mandej në Bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” në Tiranë, çifti presidencial dhe çifti kryeministror kanë shprehur urimet më të përzemërta për besimtarët e krishterë shqiptarë, me rastin e Festës së Krishtlindjes.
Pas takimit me Ipeshkvin të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, njëherësh Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, po edhe çifti kryeministror vlerësuan rëndësinë e kremtimit të Festës së lindjes së Jezu Krishtit, si ditë e bardhë e paqes dhe harmonisë.
“Duke biseduar pak më parë me Imzot Rrok Mirditën, i thashë që çdo vit unë marr mesazhe nga qytetarët, por sot më shumë se herët e tjera, kam marrë mesazhe edhe nga besimtarët myslimanë. Kjo do të thotë një respekt të jashtëzakonshëm për fenë e njëri-tjetrit, për besimin e njëri-tjetrit që përmbledh atë dashuri që kanë shqiptarët për njëri-tjetrin. Simbolikë më të bukur se kjo unë nuk besoj se mund të gjej dot në këtë ditë ku të gjithë i urojnë festën njëri-tjetrit dhe të gjithë urojnë për një Shqipëri më të mirë. Jo vetëm për të gëzuar Krishtlindjen, por për të pasur edhe një vit të ri me plot suksese për gjithsecilin dhe të gjithë së bashku për Shqipërinë”, u shpreh Presidenti Topi.
Ndërsa kryeministri pas takimit me imzot Rrok Mirditën në mesazhin e tij do të shprehej kështu: “Nderojmë lindjen e një burri që do martirizohej, do të sakrifikohej për të përcjellë në mendjet e zemrat e njeriut e të shoqërisë njerëzore, virtytet më të larta të moralit, besimin, dashurinë, shpresën, dhembshurinë. Nderojmë, pra, lindjen e Krishtit. Le të shprehim gëzimin e kënaqësinë tonë që këto Krishtlindje i kemi festuar të lirë kudo që jemi, i festojmë më të begatë se asnjëherë në historinë tonë, i festojmë me aspiratën tonë të realizuar të lëvizjes së lirë dhe të urojmë që Krishtlindjen e vitit që vjen ta festojmë edhe më mirë, edhe më të lirë, edhe më të begatë e të ecim të sigurt drejt projekteve tona, drejt ëndrrës sonë Shqipëria - vend i zhvilluar”, tha kryeministri. Ndërkohë pas takimit me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Presidenti Topi dha një mesazh të qartë edhe politik duke thënë se kjo ditë simbolizon lindjen e shpresës dhe është një ditë për të reflektuar për më shumë dialog.
“Unë besoj që viti që vjen do të jetë një vit i mbushur me më shumë dialog, me më shumë komunikim, më shumë arritje për Shqipërinë dhe kjo duhet të shkojë si një jehonë në zemrën e çdo shqiptari. Unë, në këtë ditë dëshiroj të uroj jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë, kudo që janë, sepse kudo që të jenë, zemrën e kanë te Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj. Urime edhe njëherë!”, u shpreh zoti Topi.
Pas vizitës në kishën autoqefale, kryeministri Berisha falenderoi Zotin për ndihmën e madhe që u ka dhënë shqiptarëve.
“Sot festojmë këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre dhe të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë e më afër ëndrrave tona. Edhe një herë një urim të përzemërt për të gjithë shqiptarëve”, uroi kryeministri Berisha.
Veç e veç, Kreu i Shtetit dhe kryeministri vizituan edhe Bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” ku u mikpritën nga Presidenti i VUSH-së, Pastor Fitim Muça.
Gjatë vizitës në “Vëllazërinë ungjillore”, kreu i qeverisë uroi të gjithë ungjillorët e Shqipërisë, si një traditë e hershme dhe një besim i madh në Europë e në botë, por dhe me prani të hershme në Shqipëri, me kontribut në rindërtimin e besimit.
Krishtlindjen ua ka uruar besimtarëve katolikë e ortodoksë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila gjatë dy vizitave në selitë e Katedrales Katolike Shën Pali dhe në Kishën Ortodokse Autoqefale tha se dita e shenjtë e lindjes së Krishtit vjen si një moment reflektimi, ku njerëzimi kapërcen të pamundurën.
“Krishtlindjet së bashku me festat e Vitit të ri janë ndoshta festat më të bukura të vitit. Sepse brenda tyre ka gëzim dhe mua më duket sikur mbi të gjitha, janë festa e gëzimit të fëmijëve. Në fakt po të reflektojmë dhe po të mendojmë se çfarë është Krishtlindja, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, është kapërcimi i të pamundurës dhe e përkthyer në kontekstin shqiptar, kjo është një ditë e bekuar që të inspiron për të bërë të mundur atë që në fakt në dukje, shihet e pamundur”, u shpreh zonja Topalli në mesazhin e saj drejtuar besimtarëve.
Ndërsa Kryetari i opozitës Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, dhe dy fëmijët Gregor, e Rea, zgjodhi qytetin e Korçës për të bërë urimin në ditën e Krishtlindjes për të gjithë shqiptarët.
Urimi i Ramës erdhi pas takimit me Metropolitin e Korçës imzot Johanin, në Kishën Ortodokse të Mitropolisë së Shenjtë ku uroi të gjithë besimtarët e krishterë për më shumë paqe dhe begati.
“Kënaqësi e posaçme që Krishtlindjet t’i kalosh në Korçë, në këtë atmosferë magjike dëbore dhe zbukurimesh. Nga këtu unë dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’ju uruar që të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat, shëndet, sukses dhe mbi të gjitha kurajo të gjithë atyre, dhe nuk janë pak janë shumë, që janë të pamundur, të sëmurë, të papunë, në pafuqinë për të përballuar vështirësitë e rritura të një jetë gjithnjë e më të shtrenjtë, me më pak shpresë, me më shumë mundime. Por çka vlen vërtet të thuhet dhe në hirin e kësaj dite është se kurajoja dhe besimi padyshim mund të çojnë përpara jo vetëm secilin por edhe të gjithë shoqërinë tonë dhe unë jam i bindur që kështu do ndodh”, tha lideri i opozitës.
Krishtlindjet kanë sjellë në kryeqytet një atmosferë të bukur feste duke zbehur capak edhe të ftohtin e dimrit.
Ngjyrat e festës i zgjon bukur edhe dekori festiv i Tiranës, i cili që në fillim të dhjetorit i ka ftuar të gjithë të shpresojnë dhe përjetojnë më bukur festat e fundvitit, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
mit/NOA