"Ky vit rezervoi një trill të trishtuar në javët e fundit të tij, për disa figura të njohura politike e publike. Tetori mori me vete Ramiz Alinë, presidentin e fundit komunist dhe kreun e parë të shtetit demokratik. Pas tij ikën Leka Zogu dhe pak orë pas tij, edhe Sabri Godo"...
Nga Skënder Minxhozi
Zakonisht, viti 1997 ka marrë në erën e re pluraliste, pas vitit 1900, reputacionin e “vitit të mbrapshtë”. Gjerësisht pranohet se ai ka qenë momenti më dramatik që demokracia e brishtë dhe e korruptuar shqiptare ka kaluar, qëkurse komunistët lanë pushtetin. Në harkun e dy dekadave, vendi ynë ka përjetuar mjaft periudha të tjera dramatike, por asnjëra nuk i është afruar sadopak për nga absurdi dhe kostot e larta, atij viti që la nga pas një vazhdë të gjatë urrejtje dhe ndarjeje në Shqipëri.
Viti 2011 nuk ka qenë një vit i mbrapshtë. Gjithmonë, nëse e krahason me gurin kilometrik – vitin 1997. Ai ka qenë, nëse mund të quhet kështu, një vit shumë “shqiptar”, duke rënë dakord të përmbledhim brenda këtij epiteti, gjithçka problematike dhe defektoze që përfaqëson tranzicioni shqiptar. Qysh në ditët e para të tij, ky vit pati brenda të vrarët nga shteti në mes të Tiranës, akuzat për puç (për pasojë edhe listat me puçistë), videot komprometuese me politikanë të lartë dhe zgjedhjet e trukuara dhe të fituara në tavolinën e një drejtësie të korruptuar deri në palcë.
Ky vit, pati brenda edhe ca bojkot opozitar, si për të ndjekur traditën e viteve paraardhës. Ai pati më pas shumë, jashtëzakonisht shumë tension politik, sharje, përplasje publike me fjalë të rënda, protesta, greva, pakënaqësi sociale gjithfarësh. Këtë arenë gladiatorësh nuk e zbuti sadopak paqja-farsë e pas shtatorit, të cilën po e jetojmë edhe këto ditë e që çuditërisht s’na ngjall asnjë lloj shprese se po shkojmë në drejtimin e duhur.
Ky vit shënoi kulmin e sherrit në kokën e shtetit, ku “horrat e laviret e bulevardit” nuk ishin persona dosido, por shefat e institucioneve më të larta. Një parti e re politike mund të shfaqet në muajt e parë të vitit të ardhshëm, si pasojë e këtij konflikti.
Viti 2011 solli me vete edhe pasojat e para të krizës financiare, të cilat rritën kreditë e këqija nëpër banka, rënduan borxhin publik, anuluan një listë të gjatë investimesh dhe u hoqën 50 mijë lekëshin e gjelit të detit pensionistëve. Gjatë vitit që po lëmë pas ndjemë dridhjet e para të acarit ekonomik që ka rënë mbi këtë pjesë të Europës. Nuk na ndihmuan që të ndjehemi më mirë as injeksionet e përditshme të entuziazmit të kryeministrit, as shifrat e trukuara ose të munguara të INSTAT-it për situatën ekonomike, e as kodra groteske me bar që ndërtoi në sheshin qendror të Tiranës kryetari i ri i bashkisë.
Ky vit na tregoi se opozita mund të formuloka një program politik, një ofertë konkrete për shqiptarët. Një shenjë e vonuar, por e mirë gjithsesi. Pamë gjithashtu gjatë 2011-s një Sali Berishë që u bllokua gjatë një fjalimi publik (rast i rrallë ky, sa kalimi i një komete), si dhe një Edi Ramë që zbuti marrëdhëniet me Blushin e Malajn, por që nxori nga lista e deputetëve Islamin.
Ky vit rezervoi një trill të trishtuar në javët e fundit të tij, për disa figura të njohura politike e publike. Tetori mori me vete Ramiz Alinë, presidentin e fundit komunist dhe kreun e parë të shtetit demokratik. Pas tij ikën Leka Zogu dhe pak orë pas tij, edhe Sabri Godo. Një mbretëror e një republikan që u “takuan” thuajse në të njëjtën kohë në atë botë – edhe ky qe një fatalitet tërësisht shqiptar.
Një janari i vitit që vjen do të na gjejë fiks aty ku ishim, sa i takon distancës nga Brukseli. Fundviti i shkuar erdhi bashkë me heqjen e vizave, kurse ky fundvit na hoqi vizën e bashkë me të edhe shpresat, për të qenë një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Një dështim që na vendos edhe një herë në periferinë e kontinentit. Të një kontinenti që ka gjithnjë e më pak kohë, vullnet e dëshirë që të merret me vagonët e fundit të trenit.
Në shumë anë, viti 2001 ka shpërndarë një farë, nga e cila mund të mbijë gjatë vitit 2012, një bar i keq dhe i vështirë për t’u zhdukur. Situata ekonomike, reformat e munguara, paqja sociale e politike, si dhe zgjedhjet presidenciale (çfarë ekuacioni!), janë njollat e errëta që qëndrojnë në sfondin e vitit që vjen. E vetmja gjë që na qetëson, është se gjatë vitit në vazhdim nuk do të votojmë. Një makth më pak për të gjithë. Apo është ende herët për të folur...?!
"Shqip"