English

Obama dënon atentatet terroriste në Nigeri

Uashington, 25 dhjetor 2011, NOA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan mbrëmjen e të dielës atentatet islamike që përgjakën ditën e shenjtë të Krishtlindjes në kryeqytetin e Nigerisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Nga ishujt Hawai, ku ndodhet për festën e Krishtlindjes dhe pushimet e dimrit bashkë me familjen, presidenti amerikan Barack Obama, i cilësoi sulmet me bombë në kishat katolike në Nigeri, si atentate terroriste.

“Dënojmë dhunën e pashoqe dhe humbjen tragjike të jetëve njerëzore në ditën e shenjtë të Krishtlindjes”, citohet në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare, shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Obama bën me dije se është në kontakt me autoritetet nigeriane, nga të cilët ka mësuar për aktet terroriste.

Presidenti amerikan i ka shprehur solidaritetin krerëve të Nigerisë dhe popullit të saj në këtë ditë tragjike duke ofruar edhe ndihmën për vënien para drejtësisë të përgjegjësve të masakrës.

mit/NOA

KOMENTE