Durrës, 25 dhjetor 2011, NOA- Policia e qytetit Durrësit ka zbardhur detajet e para lidhur me vdekjen e Fatbardh Hysit, emigranti shqiptar i cili u gjet i pajetë pak ditë pasi kishte ardhur në Shqipëri për festat e fundvitit.
Burime zyrtare nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al, se viktima ka pasur grindje në familje për arsye xhelozie si shkak i një lidhje jashtëmartesore, ndërsa mësohet se pas grindjeve ai është larguar nga shtëpia.
Në vijim të hetimeve nga ana e bluve të qytetit bregdetar po merren në pyetje të gjithë familjarët në mënyrë që të hidhet dritë mbi vdekjen e 34 vjeçarit Hysi.
Fatbardh Hysi ishte kthyer në vendlindje për festat e fundvitit, por pas zhdukjes prej dy ditësh nga shtëpia në Durrës u gjet i vrarë në një barakë të vjetër në një lagje të Shkozetit.
Kanë qenë familjarët e viktimës që kanë identifikuar kufomën e gjetur në lagjen 14 në Shkozet.
Theksohet se para vrasjes ndaj emigrantit është ushtruar edhe dhunë, gjë që e dëshmojnë shenjat e gjetura në trupin e tij.
a.y/NOA