English

PS uron: Krishtlindja, shpresë e besim për një Shqipëri më të mirë

Tiranë, 25 dhjetor 2011, NOA – Në ditën e shenjtë të Krishtlindjes, Partia Socialiste uroi të gjithë besimtarët shqiptarë dhe ata që ndihen të pafuqishëm, që në këtë ditë të gjejnë besimin e tyre tek Zoti, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Urimin në emër të PS-së e përcolli deputeti Blendi Klosi, i cili i uroi shqiptarët për sa më shumë shpresë.

“Krishtlindjet janë dita e besimit të madh dhe unë do doja t’i uroja të gjithë ata, që janë të pafuqishëm, që të gjejnë tek Krishtlindjet besimin e tyre. Të gjithë atyre që janë të sëmurë, të gjithë atyre që janë të pazotë përballë çmimeve të larta të këtij momenti, u uroj të gjejnë besimin tek dita e Krishtlindjeve”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, Krishtlindjet janë dita e shpresës së madhe, andaj Partia Socialiste, u uron të gjithë shqiptarëve të zakonshëm, të gjithë shqiptarëve të mirë, të gjithë shqiptarëve brenda Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e kudo ku ata ndodhen në këtë ditë Krishtlindjesh, të gjejnë më shumë shpresë për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri të së ardhmes.

Deputeti Klosi së bashku me deputetet Eglantina Gjermeni dhe Vasilika Hysi vizituan sot kishën ortodokse, ku takuan dhe uruan Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Ndërkohë, një tjetër urim në emër të Partisë Socialiste ka ardhur edhe nga deputetja Mimi Kodheli, e cila pas vizitës në Katedralen e Shën Palit uroi të gjithë shqiptarët kudo ku janë, pa dallim feje dhe idesh për Shumë Vjet Krishtlindjet.

“Ky është një urim që del nga zemra për të gjithë familjet shqiptare, më së pari për të sëmurët, për ata që kanë probleme sociale, për ata që janë të papunë, për ata që nuk mbyllin dot muajin. Por edhe për mjekët, infermierët, mësuesit, policët, ushtarakët, fëmijët e tyre, kudo ku janë në veri dhe në jug. Por sigurisht urimi shkon dhe për të gjithë, të gjithë qytetarët e Shqipërisë pa dallim feje apo idesh. Edhe njëherë për Shumë Vjet Gëzuar”, uroi deputetja socialiste Mimi Kodheli e cila gjatë vizitës shoqërohej nga Kryetarja e Minibashkisë nr.1, Lindita Nikolla dhe deputeti Besnik Bare.

mit/NOA

KOMENTE