Prishtinë, 25 dhjetor 2011, NOA - Përkundër deklarimeve të qeveritarëve se gjatë vitit 2011 është përmirësuar dukshëm mirëqenia sociale në vend, qytetarët e Kosovës shprehen të pakënaqur, duke thënë se gjatë vitit që po lëmë pas nuk ka pasur kurrfarë përmirësimi të mirëqenies së tyre, porse ndihen të diskriminuar për shkak të të ardhurave dhe pensioneve të vogla.
Pensionisti Sadri Kabashi nga Prishtina, i cili ka 40 vite përvojë pune si jurist, për çdo muaj merr një pension prej 80 eurosh, raporton Kosovapress.
Ai thotë se është diskriminim për gjeneratën e vjetër të jetojnë në kushte të rënda ekonomike, ndërsa funksionarët politikë vazhdojnë të marrin paga të majme.
“Nuk ka pasur kurrfarë rritje. Është një diskriminim tek gjenerata e vjetër, tek pensionistët, tek ata që jetojnë prej ndihmave sociale dhe pensionit, por nuk është pension, por ndihmë sociale, i kanë lënë doktorët e shkencave, profesorët e universitetit, të cilët e kanë formuar universitetin i kanë lënë me 80 euro pension, deputetët, funksionarët për një mandat për katër vjet ia kanë caktuar vetes pensionin 600 euro, 700 euro e më shumë”, u shpreh ai.
Të njëjtin mendim e ndan edhe Hasan Blaku, i cili fajin kryesor për mosrritjen e nivelit të mirëqenies sociale për qytetarët ia hedh qeverisë, ndërsa këtë fenomen e quan edhe si anomali për popullin.
“Qeveria, Parlamenti, Kryesia nuk kanë bërë asgjë sa i përket mirëqenies sociale, janë nën zero. Për shembull, çfarë anomalie kur kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi i merr mbi 8000 euro e pensionisti që ka punuar 40 vite dhe e ka ndërtuar këtë Prishtinë tash ku ne po shëtisim, i merr 80 euro. Kjo lëre më që është anomali, por është marri për gjithë shtetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Pajazit Halimi nga Prishtina thotë ai me familjen e tij jetojnë me një ndihmë sociale prej 65 eurove, të cilat nuk mjaftojnë për gjërat elementare në jetë, ndërkohë që askujt prej pushtetarëve nuk i intereson kjo gjë.
“Në gjendje sociale nuk jam vetëm unë, por janë shumë njerëz që janë në gjendje të rëndë, s`kanë familje, kanë dëshmorë, janë invalid të luftës. Me 65 euro nuk jetohet. Së pari, kryeministri jonë duhet të di në çfarë gjendje jemi duke jetuar, por atyre s`po u intereson asgjë, përveç karriges”, ka thënë ai.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka premtuar se mund të ketë rritje të asistencës sociale apo pensioneve për vitin 2012, ndërsa në bazë të disa hulumtimeve një shportë mujore për pesë anëtarë të familjes, e cila i merr nga 80 euro në muaj, nuk mund t`i mbulojë as gjërat më elementare për jetën.
Raporti i fundit i Bankës Botërore (BB) vlerëson se 12 për qind e popullsisë së Kosovës jetojnë nën kufirin e varfërisë ekstreme prej 1.02 euro në ditë.
Kosovapress/NOA