Tiranë, 25 dhjetor 2011, NOA- Mesnatën e kaluar, u kremtua lindja e Krishtit ku besimtarët e krishterë u lutën dhe falën në katedralen Shën Pali.
Me rastin e Krishtlindjeve Imzot Rrok Mirdita dërgoi mesazhe paqeje në emër të kësaj dite duke zhvilluar lutjen e tij.
Ndërsa në që në orët e para të mëngjesit e në vijim në Kishën Ortodokse po mbahet mesha nën drejtimin e kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Mesha në përkujtim të lindjes së Jezu Krishtit mesnatën e lënë pas, nisi nën drejtimin e kreut të klerit katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili u uroi besimtarëve shumë dashuri dhe paqe. Imzot Rrok Mirdita theksoi se “Në Botë mungon paqja, por dashuria është udha që të çon drejt saj”.
Sakaq ashtu si miliona njerëz në mbarë botën edhe besimtarët e krishterë shqiptarë, katolikë e ortodoksë prej pasmesnatës së 24 dhjetorit dhe në agimin e 25 dhjetorit e mandej kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit të Nazaretit, që erdhi si fjala hyjnore e Zotit për të shpëtuar njerëzimin dhe për ta kthyer në rrugën e Perëndisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Nata e shenjtë e Krishtlindjes është festa më e bukur për besimtarët e krishterë, të cilët të veshur me ngjyrën e festës, të kuqen, mblidhen në Katedrale e Kisha për të uruar ardhjen në jetë të të birit të Zotit, në Betlehem.
Ndërsa, besimtarët ortodoksë pas ndezjes së qirinjve gjatë natës së shenjtë, agimi i 25 dhjetorit i gjeti duke kënduar dhe dëgjuar meshën e lindjes së Krishtit të mbajtur nga kryepeshkopi Janullatos në Kishën Ortodokse në Rrugën e Kavajës.
Në një mesazh të lëshuar me këtë rast Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos në vigjilje të Krishtlindjes uroi të gjithë besimtarët e krishterë për lindjen e Krishtit: “Perëndia u shfaq në mish. Kapërcimi i së pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi themelor i të kremtes së madhe që feston sot bota e krishterë”.
Edhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita në mesazhin e tij të urimit për besimtarët katolikë dhe të krishterë u shpreh se të kremtosh Krishtlindjen do të thotë të përjetosh urën tënde historike si një urë takimi me Krishtin, dritën e Zotit dhe mirësinë e shpresën.
“Sot shoqëria shfaqet e kërcënuar në një farë mënyre nga varfëria, nga mungesa e një projekti të besueshëm, të pranuar njëzëri për një të ardhme të qëndrueshme nga pasiguria e një mirëqenie të arritshme për të gjithë. Të kremtosh Krishtlindjet do të thotë ta përjetosh urën tënde historike si urën e takimit me Krishtin një takim që i sjell jetës dritë, gëzim dhe shpresë. Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim! Uroj nga Zemra Krishtlindje të gëzuara e një Vit të Ri të bekuar”, uroi Imzot Rrok Mirdita.
Sakaq gjatë ditës së sotme, krerët e shtetit dhe një sërë personalitetesh pritet të japin urimet e tyre për këtë festë duke uruar krerët e besimit të krishterë dhe besimtarët e kësaj feje.
a.y/NOA