Korçë, 25 dhjetor 2011, NOA - Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëherësh deputetja demokrate Albana Vokshi deklaroi nga Korça se pjesëmarrja e gruas në politikë dhe vendimmarrje ka rritur performancën e vendit në proceset integruese, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Në këtë proces, një rëndësi të veçantë ka miratimi i Ligjit për Barazinë Gjinore, ku përcaktohet kuota 30 % e përfaqësimit të gruas në të gjitha nivelet vendimmarrëse”, theksoi zonja Vokshi.
Kryetarja e LDGSH-së nënvizoi se Partia Demokratike e ka sanksionuar edhe në statut këtë kuotë përfaqësimi, duke mundësuar dyfishimin e numrit të deputeteve gra në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që kundërshtarët politikë në kampin e socialistëve, bëjnë fushatë demagogjike për faktorizimin e gruas.
Këto deklarata zonja Vokshi i bëri gjatë Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, në degën e Korçës, ku u zgjodhën forumet drejtuese të qytetit.
Në postin e Kryetares së LDG, rikonfirmohet Ledina Aliolli, e cila është edhe deputete e PD-së, në qarkun e Korçës.
Punimet e Kuvendit të LDG-së, i ndoqi nga afër edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Ministri i Financave dhe Kryesues i listës së deputetëve të qarkut Korçë, Ritvan Bode.
Ai vlerësoi aktivizimin e LDG-së në proceset integruese të vendit, duke theksuar se duhet një tolerancë më e madhe për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe konfirmimin e tyre edhe në poste të larta drejtuese.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë numëron mbi 15 mijë anëtare.
mit/NOA